Universiteti duhet të ketë autonomi-politika duart larg nga universiteti

Kosova

Universiteti duhet të ketë autonomi-politika duart larg nga universiteti

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 15:32
Foto Ilustrim

Studentë dhe aktivistë të SKV-së, sot, përmes një aksioni simbolik para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASh) kundërshtuan edhe njëherë vendimin e jashtëligjshëm të ministrit Ramë Likaj për rritjen e numrit të studentëve në programin Mjekësi të Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë.

Në këtë aksion për media u prononcuan dy aktivistet tona, Albertina Dedinca dhe Leonora Gashi.

"Në mbledhjen e mbajtur më 2 Shtator të këtij viti Këshill Shtetëror i Cilësisë (KShC) ka vendosur që numri i studentëve që mund të regjistrohen në programin Mjekësi e Përgjithshme të jetë 150, ashtu siç është rekomanduar në raportin e ekspertëve ndërkombëtarë.

Duke u bazuar në vendimin e KShC, Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) e ka akredituar programin e Mjekësisësë Përgjithshme dhe ky akreditim vlen me këto kuota deri më 30 shtator të vitit 2022.

Në këtë vendim thuhet qartë se institucionet e arsimit të lartë janë të obliguara të respektojnë këto kuota, ashtu siç është e përcaktuar me legjislacionin në fuqi", u shpreh ndër të tjera Albertina.

Ndërkaq Leonora tregoi se nga ky vendim i ministrit kryeneç rrezikohet edhe akreditimi i programit Mjekësi e Përgjithshme për vitin e ardhshëm akademik.

"Ky vendim i këtij ministri kryeneç e rrezikon akreditimin e programit Mjekësi e Përgjithshme në vitin e ardhshëm akademik, shqetësim të cilin e ka ngritur edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Naser Sahiti. Kundër këtij vendimi përveç Rektorit të UP-së janë shprehur edhe Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë, pasiqë nuk ka kuptim që pasi të mbyllet konkursi, pasi të bëhet publike lista e studentëve të pranuar, të cilët veçse e kanë filluar vitin akademik, të shtohen edhe 50 studentë të tjerë.

Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës dhe për vendime të tilla që ofendojnë logjikën e të gjithëve pësojnë studentët dhe Universiteti. Ju rikujtojmë se vitin e kaluar për të njëjtën arsyeje, pasi ish- ministri Shyqiri Bytyqi e rriti numrin për 75 studentë, Agjencia e Kosovës për Akreditim vetëm disa ditë më von; u përjashtua nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Prandaj, nëse nuk mësojmë nga gabimet e së kaluarës historia do të na përsëritet dhe ne do të bëjmë shumë hapa prapa në procesin e ri-anëtarësimit në ENQA.

Përveç kryeneçësisë, ky ministër i denoncuar për plagjiatur në UP ka nxjerrë në pah edhe një fakt tjetër për veten e tij - se është gënjeshtar! Ndonëse në vendimin e tij thotë se është konsultuar me KShC dhe AKA, vetëm pak orë më pas ai u përgënjeshtrua nga Kryetari i KShC, Gazmend Luboteni i cili u shpreh se ai këtë lajm e ka parë në media dhe se ministri nuk është konsultuar fare me ata për një vendim të tillë", deklaroi Leonora.

Siç e dini, SKV veçse ka reaguar nëpërmjet një komunikate kundër këtij vendimi të jashtëligjshëm që është goditje e madhe për Fakultetin e Mjekësisë dhe Universitetin tonë publik, por ky aksion simbolik është rikonfirmim i qëndrimeve tona.

Ne besojmë se ministri aktual ka dashur të shfrytëzoj situatën pandemike në mënyrë që vendimet e tij të jashtëligjshme të kalojnë pa u vënë re dhe pa krijuar zhurmë, por ne sot ia bëjmë me dije atij se nuk do të zmbrapsemi dhe do të protestojmë edhe më fuqishëm ndaj këtyre vendimeve që e cenojnë autonominë e UP-së.

Studentët janë kundër, Rektorati është kundër, Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë është kundër, prandaj ne sigurt do të fitojmë përballë kryeneçësisë së këtij ministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat