OJQ-të padisin Ministrinë e Mjedisit për hidrocentralet

Kosova

OJQ-të padisin Ministrinë e Mjedisit për hidrocentralet

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative. 

Padinë për Konflikt Administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji për Lëshim të Lejeve Ujore, Mjedisore dhe Licencave për Hidrocentralet HC Deçani dhe HC Belaja të kompanisë Kelkos Energy Sh.p.k.

Ky është rasti i parë strategjik i dërguar në gjykatë nga Qendra i cili ka të bëjë me cenimin e të drejtës së qytetarëve për ambient të pastër dhe të shëndetshëm. Qendra i dërgon në gjykatë rastet e shkeljeve të institucioneve publike të cilat dëmtojnë shumë qytetarë dhe nëpërmjet padive dhe mjeteve të tjera juridike synon t’i rregullojë këto shkelje, si dhe në të njëjtën kohë, synon të ngrisë vetëdijen qytetare për probleme të caktuara në sistemin tonë.

I tillë është edhe rasti i ndërtimit të hidrocentraleve në Grykën e Deçanit nga të cilat janë dëmtuar një numër i madh i qytetarëve.

Në bazë të provave të siguruara nga paditëset në këtë rast, organizatat jo-qeveritare Pishtarët dhe GLPS, si dhe nga deklaratat e shumta të qytetarëve të Deçanit në lidhje me procesin e lëshimit të këtyre vendimeve, ne kemi gjetur se:

Gjatë procesit të lëshimit të këtyre lejeve, qytetarëve të Deçanit u është shkelur e drejta e tyre themelore e garantuar me Kushtetutë, u është mohuar e drejta për të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin ku jetojnë.

Pra, zhvillimi i një projekti kaq të madh si ndërtimi i Kaskadës së Hidrocentraleve në Deçan, me pasoja shumë të rënda në jetën e qytetarëve që jetojnë aty, është mbajtur pa zhvilluar debat publik siç kërkohet nga ligji.

Gjithashtu, ne kemi gjetur se procesi i lëshimit të këtyre lejeve ka qenë jo-transparent dhe se është vërtetuar gjendja e gabuar faktike. Përkatësisht, nga provat që kemi siguruar, kompania Kelkos Energy Sh.p.k. nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç kërkohet nga ligji dhe ka degraduar mjedisin.

Prandaj, mbi këtë bazë, ne kemi kërkuar nga gjykata anulimin e të gjitha këtyre vendimeve, si dhe kemi kërkuar shtyrjen e ekzekutimit tëtyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e tërë procesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat