Pamje nga stolisjet e komunave për festat e fundvitit, disa do t’i kalojnë në terr

Kosova

Pamje nga stolisjet e komunave për festat e fundvitit, disa do t’i kalojnë në terr

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 11:39

Festat e fundvitit këtë vit do të festohen më ndryshe. Dekorimet të cilat ngjallin atmosferën festive të Krishtlindjeve dhe ndërrimit të motmoteve nuk do të shihen në disa prej qyteteve të Kosovës. Por, ka edhe komuna që tashmë kanë përfunduar stolisjen. Media u sjell pamje nga këto komuna.

Një prej komunave që e ka përfunduar dekorimin është Prishtina. Kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti, ka publikuar disa foto nga kryeqyteti më 5 dhjetor, ku ka njoftuar se i kanë ndezur dritat.

Dhe… i ndezem dritat për të sjellë magjinë e festave të fundvitit në Prishtinë! Ky vit na sfidoi të gjithëve por na bashkoi edhe më shumë, na bëri më solidare dhe na mësoi të shikojmë nga njëri tjetri me zemër. Le të festojmë për jetën!”, ka shkruar Ahmeti.

Dekorimin e shesheve për festat e fundvitit e ka përfunduar edhe Komuna e Pejës, komunë që nuk stolisej tash e disa vite.

Për dekorimin e qytetit, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se është bërë për t’i dhënë pak më shumë energji pozitive banorëve në një situatë kur i gjithë vendi po përballet me pandeminë e rëndë nga virusi COVID-19.

“Edhe pse në kohë pandemie, festat e fundvitit kanë zbukuruar qytetin e Pejës për t’i dhënë pak më shumë energji pozitive banorëve në një situatë kur i gjithë vendi po përballet me pandeminë e rëndë nga virusi COVID-19”, ka shkruar Muhaxheri.

Pamje festive ka marrë edhe komuna e Ferizajt. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka publikuar më 4 dhjetor pamje nga stolisja e qytetit.

Edhe Komuna që udhëhiqet nga Agim Bahtiri është stolisur për festa.

Dekorime do të ketë edhe në qytetin e Gjakovës. Madje, në një fshat atje, tashmë ka përfunduar stolisja.

Bëhet fjalë për Pjetërshanin, fshat i cili gjithmonë merr vëmendje për festat e fundvitit.

Por, ka edhe komuna që s’do të dekorojnë sheshet fare për fundvit.

Podujeva, Skenderaj e Gjilani, kanë vendosur që paratë që janë paraparë për dekorim t’i ndajnë për nevoja të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat