Qendrës për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në Podujevë i shtohen edhe shtatë shtretër

Kosova

Qendrës për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në Podujevë i shtohen edhe shtatë shtretër

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 16:26
Qendrës për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në Podujevë i shtohen edhe shtatë shtretër

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bashkë me drejtoreshën për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Egzona Mustafa, ka vizituar sot Qendrën për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, ku janë shtuar kapacitetet kësaj qendre edhe me shtatë shtretër dhe dy bombola me oksigjen.

Ashtu siç edhe kishte premtuar në ditën e parë të punës në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Podujevës, kur kishte vizituar QKMF-në, kryetari Shpejtim Bulliqi ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme për përmirësimin e kushteve në Qendrën për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

Kjo qendër tash ka një hapësirë dhe ambient më të përshtatshëm për pacientët dhe stafin mjekësor. Katër shtretërve, që kishte për trajtimin e pacientëve me Covid-19, tashmë i janë shtuar edhe shtatë të tjerë, duke çuar në 11 numrin e tyre.

Gjithashtu, Qendra për trajtimin e pacientëve me Covid-19 është pajisur edhe me dy bombola të tjera të oksigjenit dhe janë siguruar edhe medikamente mjekësore të nevojshme.

Kryetari Bulliq edhe gjatë vizitës së sotme tha se prioritet kryesor i angazhimeve të tij në sektorin e shëndetësisë do të jetë krijimi i kushteve sa më të mira për pacientët që janë të prekur me Covid-19, të cilët kërkojnë trajtim në këtë qendër.

Krahas furnizimit me shtretër dhe bombola të oksigjenit, në bazë të kërkesës së stafit mjekësor, kryetari Bulliqi ka siguruar edhe një automjet shtesë për nevojat e kësaj qendre dhe ka angazhuar një vozitës nga administrata komunale, që do të jetë në dispozicion të kësaj qendre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat