Të gjitha funksionet shtetërore me U.D/ Siguria e Kosovës në pikëpyetje

Kosova

Të gjitha funksionet shtetërore me U.D/ Siguria e Kosovës në pikëpyetje

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 22:18
Foto ilustrim

Në Kosovë, të gjitha funksionet shtetërore tashmë kanë udhëheqës në detyrë dhe kjo po konsiderohet se ka vënë në pikëpyetje sigurinë shtetërore.

Posti i presidentit, kryeministrit, drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), dhe atij të Policisë së Kosovës, janë me ushtrues detyre.

Meqenëse presidenti i vendit është komandanti suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vendi ynë aktualisht ka ushtrues detyre, njësoj me ushtrues detyre është edhe drejtori i AKI-së, dhe e gjithë kjo situatë po shihet si vënie në pikëpyetje e sigurisë së shtetit.

Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se vendi tashmë është në një situatë vakante për shkak se nuk ka udhëheqës me kompetenca të plota, pra udhëheqës në sektorin e sigurisë.

Ibishi e sheh si shumë shqetësuese emërimet dhe shkarkimet politike në sektorin e sigurisë që po bëhen në vendin tonë.

“Së pari shumë shqetësuese është mënyra e vetë rrotacioneve dhe emërimeve dhe shkarkimeve rrotacionet që bëhen çdo mandat qeveritar dhe kjo s’ka kurrfarë kuptimi dhe kjo tregon që edhe emërimi i kuadrove në sektorin e sigurisë është puro politike edhe pse realisht ka ndikime dhe dihen ndikimet, po jo në atë masë çfarë realisht ka ndodhur në të kaluarën edhe nën udhëheqjen e PDK-së sidomos, por ai avaz po vazhdon edhe tash. Ne jemi shtet i ri, që nuk kemi ndonjë praktikë apo traditë të shtetformimit dhe ende jemi në krijim të institucioneve e sidomos të sektorit të sigurisë dhe ky sektor ende nuk është finalizuar dhe kur ndodhin këto gjëra atëherë është jo vetëm mangësi por edhe shqetësim për arsye se dihet situata kur bie qeveria është në dorëheqje ose në shkarkim mandej krejt këto institucione janë të paemëruar në kuptimin e asaj që drejtori i AKI-së është i shkarkuar, por nuk është bërë riemërimi i ri. Nuk mund të flas sikur disa që e krahasojnë Italinë, pra rënien e qeverisë, ajo nuk ka lidhje. Në Itali është një shtet funksional me traditë dhe nuk mund të bëhen aso krahasime. Te ne janë çështje jashtëzakonisht të ndjeshme dhe krejt këto emërime dhe shkarkime politike që po ndodhin këto kanë edhe peshën e brishtësisë së sigurisë, për arsye se edhe vetë ose në mosemërim, kur mbetet vendi vakant siç është rasti i AKI-së,por edhe me caktimin e ushtruesit të detyrës dhe procedurat e përzgjedhjes së emërimit të ri, për shembull në polici edhe në Inspektoratin policor, atëherë krijojnë një situatë një hendikep të madh në siguri edhe mendoj se ne duhet në të ardhmen edhe si shoqëri por edhe si institucione të jemi të kujdesshëm edhe në infrastrukturë ligjore por edhe të ndërpritet ky implikim politik në përzgjedhjen e kuadrove e sidomos në sektorin e sigurisë”, theksoi Ibishi.

Ai vlerëson si situatë jo të mirë në të cilën gjendet Kosova aktualisht dhe ka kërkuar që të funksionalizohet sektori i sigurisë dhe që politika të heq dorë nga emërimet politike në këtë sektor.

“Unë nuk dua të hy në detaje në lidhje me mandatin e ushtruesit të presidentit, në këtë rast presidentes, që është komandant suprem i forcës së sigurisë, forcave të armatosura tash me emërim të ri, por edhe çështjeve të tjera të komponentëve të sigurisë e bëjnë situatën edhe më të ndjeshme edhe mendoj që këtë situatë të krijimit të një sistemi vakant apo pambulueshmërisë me mandat të plotë të krerëve të institucioneve të sektorëve të sigurisë duhet të ndërpritet një herë e përgjithmonë edhe mos të lihet mundësia që të bëhen as emërime politike por as shkarkime politike për arsye se vijmë në një situatë çfarë jemi ne sot. Mendoj se edhe një herë po e vlerësojë situatën jo të mirë së çështjes së funksionalizimit të sektorit të sigurisë mu për shkak të këtyre ngjarjeve që ishin si pasojë jo vetëm e shkarkimit të qeverisë, por edhe shkarkimit edhe të udhëheqësve të këtyre institucioneve për arsye se nuk është vetëm çështje e brendshme por janë edhe raportet me jashtë apo në prezencën ndërkombëtare të sigurisë, ku mosemërimi i një udhëheqësi në këtë rast i Inteligjencës apo lërja në ushtrues detyre ai post nuk i ka kompetencat e plota funksionale edhe vjen në brishtimin e sigurisë. Edhe brishtësia e sigurisë është në pikëpyetje për arsye se nëse ky zgjidhet vetëm emërues, ai nuk e ka mandatin e plotë sepse e ka parasysh se së shpejti do të shpallet konkursi për zgjedhjet në procedurat e caktuara ligjore. Unë apeloj që t’i vijë fundi kësaj mënyre të udhëheqjes së sigurisë në vend, do me thënë që këto të rregullohen sa më mirë në forma ligjore edhe funksionale edhe politika t’i mbajë më larg duart nga ky sektor sepse implikimet dhe pasojat janë të mëdha”, potencoi Ibishi 

Theksojmë se Vjosa Osmani është duke e ushtruar pozitën e presidentes së Kosovës, pasi që ish-presidenti Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga ky post pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Ndërkaq Avdullah Hoti, tashmë është kryeministër në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që zgjedhja e tij në këtë post ka qenë e paligjshme, pasi që deputeti Etem Arifi, ka qenë i dënuar me vendim të prerë nga gjykata.

Në anën tjetër, drejtori i AKI-së, Kreshnik Gashi, po e mban postin e ushtruesit të detyrës pasi që është kërkuar shkarkimi i tij nga Hoti.

Kurse Samedin Mehmeti, është duke ushtruar postin e drejtorit të Policisë së Kosovës, pasi që Rashit Qalaj ishte shkarkuar nga Hoti.

Në këtë mënyrë, Kosova është duke funksionuar me udhëheqës detyre në dikasteret kryesore shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat