Ministria e Infrastrukturës: Të gjitha rrugët janë lehtësisht të kalueshme

Kosova

Ministria e Infrastrukturës: Të gjitha rrugët janë lehtësisht të kalueshme

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 11:22
Foto Ilustrim

Ministria e Infrastrukturës po vazhdon mbikëqyrjen e kompanive të mirëmbajtjes së auto-udhëve, rrugëve rajonale dhe nacionale të Kosovës.

Sipas MI-së, në pothuajse të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës është bërë shpërndarja e kripës, si preventivë ndaj krijimit të ngricave mbi shtresat qarkulluese, shkaku i mjegullës dhe temperaturave nën zero. Pavarësisht kësaj, rrugët e këtij rajoni janë krejtësisht të lira për qarkullim.

Rajoni i Pejës është po ashtu në gjendje normale sa i përket infrastrukturës rrugore dhe zhvillimit normal të komunikacionit rrugor. Krejtësisht të lira për qarkullim janë edhe rrugët e rajonit të Ferizajt.

Ndërkaq, sipas nevojës, po intervenohet me kripë edhe në rrugët e rajonit të Gjilanit.

Pa ndonjë intervenim shtesë dhe krejtësisht të lira për qarkullim janë edhe rrugët në rajonin e Gjakovës.

Në drejtimet Prizren-Carralevë, Prizren-Prevallë, Zhur-Dragash-Restelicë dhe Dragash-Brod të rajonit të Prizrenit, është bërë shpërndarja e kripës, për të rritur sigurinë në komunikacion.

Autoudhët po mirëmbahen gjithashtu. Në drejtimin Suharekë-Morinë dhe Suharekë-Gjurgjicë të autoudhës “Ibrahim Rugova” dhe në autoudhën A6 Doganaj-Han i Elezit, po bëhet shpërndarja e kripës, me qëllim të parandalimit të ngricave mbi shtresat qarkulluese, shkaku i mjegullës dhe temperaturave nën zero (-0).

Lehtësisht të kalueshme janë të gjitha rrugët të cilat po mirëmbahen nga MI-ja dhe kësisoj, informimi mbi gjendjen e tyre do të vazhdoj të aplikohet në baza ditore, me qëllim të ngritjes së sigurisë në komunikacion. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat