KHAIA s’mund ta hetojë aksidentin e sotëm me tren, thotë se u larguan provat

Kosova

KHAIA s’mund ta hetojë aksidentin e sotëm me tren, thotë se u larguan provat

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 21:32
Foto

Një aksident mes një treni të linjës Prishtinë- Pejë dhe një veture ka ndodhur sot, rreth orës 16:00, tek “Përroi i Njelmët” në Prishtinë.

Aksidentin, ku mbetën të lënduar katër persona, e ka pasur të pamundur ta hetojë Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore (KHAIA) i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kryesuesi i këtij komisioni, Mirsim Beqiri, ka thënë se provat janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Ai tha se kur hetuesit e KHAIA-s kanë arritur në vendin e ngjarjes e kanë gjetur vetëm makinën e aksidentuar, por jo edhe trenin.

“Ne e kemi marrë njoftimin për të shkuar në vend të ngjarjes. Kur ekipet tona kanë shkuar në vend të ngjarjes nga aty i kanë hequr të gjitha provat. Hetuesit e KHAIA-s në vendin e ngjarjes e kanë gjetur vetëm makinën e aksidentuar, por jo edhe trenin. Po ashtu, provat e tjera janë larguar. Ne për këtë punë e njoftuam Prokurorinë e Shtetit”.

Beqiri ka deklaruar se njësiteve të policisë që kanë qenë në vend të ngjarjes disa persona i janë paraqitur si hetues të hekurudhës e që në fakt, sipas tij, nuk kanë qenë.

“Janë prezantuar disa persona nga hekurudhat dhe i kanë thënë që të lirohet treni duke u paraqitur sikur janë ekipet e hetimit. Treni posedon çipin e regjistrimit të lëvizjes që do të ishte provë evidente për të treguar shkaqet e aksidentit. Por, pasi ai është vënë në lëvizje, të dhënat që janë brenda në çip janë tjetërsuar. Çipi është thuajse sikur ‘Kutia e Zezë’ në aeroplan që regjistron lëvizjen. Ne e dërgojmë më pas në Kroaci me të cilin vend kemi memorandum bashkëpunimi për ta shikuar çipin”.

“Në vendin e ngjarjes nuk e kemi takuar as drejtuesin e trenit për të parë se në çfarë gjendje psiko-fizike ka qenë”.

Ai theksoi se ky komision nuk e ka për herë të parë që përballet me këtë lloj problemi. Ai deklaroi se me të njëjtat probleme janë përballur edhe në një aksident të ngjashëm që ka ndodhur në komunën e Klinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat