​Lladrovci uron veteranët, kujton historinë e lavdishme të Jasharajve, Thaçin, Veselin dhe të tjerët të ndaluar në Hagë

Kosova

​Lladrovci uron veteranët, kujton historinë e lavdishme të Jasharajve, Thaçin, Veselin dhe të tjerët të ndaluar në Hagë

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 21:51
Ramiz Lladrovci

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me rastin e Ditës së Veteranëve, ka dëshmuar për këtë ditë, ngjarjet e kësaj dite dhe ditëve në vijim, datë që shënon fitoren e parë frontale të Jasharajve kundër rrethimit të forcave serbe, më 30 Dhjetor 1991.

Ramiz Lladrovci ka shkruar se “Dita e Veteranëve na gjen pa dy udhëheqësit e drejtuesit më të shquar pas Marsit legjendar të Jasharajve për çlirim, pa bashkëluftëtarët tanë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin e të tjerët në mesin tonë. Andaj kjo ditë, le të jetë ditë nderimi edhe për veteranët, edhe për të gjithë të ndaluarit në Hagë, të cilët padrejtësisht mbahen larg atdheut.”

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Të nderuar veteranë, urime Dita e Veteranit!

Pak histori

Kjo ditë është ditë lavdie e krenarie dhe me të drejtë, qëndresa e Jasharajve është identifikim i kësaj dite, për ushtrinë që do të vije, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Është ditë e fitores së parë frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga Komandanti ynë legjendar, Adem Jashari.

Ajo ditë është ndër ditët me kujtimet e mia më krenare, sepse, mu besua strehimi i çlirimtarëve të paepur, të cilët me rezistencë frontale, i kishin detyruar trupat serbe të tërhiqen me turp.

Organizimi për çlirim i atëhershëm ishte vënë në sprovë në acarin e asaj dite dhe ia kishte dalë me sukses ta përcillte mesazhin nga Prekazi se këtu ka zot, se ne jemi gjallë. Qëndresa e Jasharajve do të jetë fillim shembullor, ashtu siç ndodhi në dy sulmet e mëvonshme që do të bëjnë historinë e madhe për çlirim.

Posa jam informuar se janë sulmuar Jasharajt, në mëngjes nga Elmi Zeka, me të dhe bashkë me Imer Lladrovcin, kemi takuar Jakup Krasniqin në Drenas. Pastaj, kemi shkuar te shtëpia-shkollë në lagjen Berisha në Kishnarekë, e kemi marrë edhe Gani Sylën e Azem Sylën. Azem Sylën e kemi lënë në Komoran për të vazhduar për Prishtinë që t'i njoftojë shokët, ne të tjerët jemi mbledhur në Drenas. Aty së bashku me Shaban Shalën, Idriz Hysenin, Sinan Gashin, Mehdi Bardhin dhe të tjerë, në zyrën e Daut Zeqirit nga Tetova, kemi diskutuar për gjendjen dhe hapat e mëtejmë.

Aty i kemi pritur edhe përfaqësuesit e fshatrave për të organizuar prita dhe për të ngritur pika të reja të mbrojtjes nëse forcat serbe sërish drejtohen drejt Prekazit. Ky alarm për organizim në terren, si duket ka nxitur informatorët të japin sinjale se sulmet ndaj Prekazit, do të gjejnë rezistencë gjithandej Drenicës. Ky lloj sulmi, vërtetë nuk është përsëritur më, deri më 22 janar 1998.

Nga Drenasi deri në shtëpinë e Gani Kocit kemi arritur me makinën time, bashkë me Jakup Krasniqin, Elmi Zeken dhe Zeqir Bekollin, e kemi lënë makinën aty ndërsa këmbë kemi hyrë në Prekaz ku Zeqiri ka bërë fotot e njohura edhe të 9 autoblindave nga rrethimi i Jasharajve.

Pasi kemi marrë kontakte me Ademin dhe shokët, e kemi lënë të takohemi në shtëpi te Gani Koci. Aty jemi takuar dhe kemi biseduar gjatë se si të veprojmë tutje. Aty me çlirimtarët ka mbetur Elmiu që e ka njohur Ademin dhe të tjerët, ndërsa e kam kthyer Jakupin e Zeqën në Drenas dhe prapë jam kthyer në Polac sërish te Gani Koci bashkë me Gani Sylën dhe Idriz Hysenin.

Në mbrëmje, Adem, Hamëz e Rifat Jashari dhe bashkëluftëtarët Sahit Jasharin, Ilaz Kodrën, Fadil Kodrën e të tjerët i kemi përcjellë për shtëpi te Elmi Zeka për strehim në Abri.

Të nesërmen, jemi takuar në Negroc te shtëpia e Jakupit, ku e kemi pritur ndërrimin e motmoteve dhe na është bashkuar edhe Maliq Vilaku e Xheladin Gashi. Pas qëndrimit rreth dy- tri orë, i kemi derguar për strehim te Shaban Shala, nga aty, pas disa ditësh, çlirimtarët janë strehuar në Siqevë, në familjen e Avdi Rracit.

Komandanti legjendar Adem Jashari me shokë, ma kanë besuar strehimin e tyre. Ky besim, ishte besim i jetës së tyre në zgjedhjen që do të bënim se ku do të qëndronin më tutje pas sulmit të forcave serbe.

Me Hashimin, Kadriun, Shabanin, Elmiun dhe Idrizin jemi kujdesur për furnizim të çlirimtarëve me dokumente, rroba dhe municion.

Sot, e kujtoj me nderim edhe falënderoj Familjen Zeka, Familjen Shala, Familjen Rraci dhe Familjen Krasniqi. Disa prej tyre, nuk e kishin njohur as e kishin ditur se kush ishte Adem Jashari dhe për herë të parë e kishin takuar gjatë strehimit. Në veçanti e kujtoj plakën fisnike të Rracve, e cila kur i strehoi ka thënë se “pa iu shemb temelet e kullës së Rracve, gja e keqe nuk ju ndodh”. Ashtu edhe ndodhi, ishte mikpritje e paharrueshme.

Edhe sot, kur e mendoj besimin e jetës së tyre për strehim te njerëzit që ne i kemi përzgjedhur e të cilët ata nuk i kanë njohur, ndjej respektin e thellë ndaj asaj përgjegjësie që ma besoi Komandanti legjendar Adem Jashari, Hamza dhe bashkëluftëtarët tjerë.

Sulmi i forcave serbe kundër Jasharajve heroik i 30 Dhjetorit 1991, do të vijoj më 22 Janar 1998 dhe 5, 6 e 7 Mars 1998, dhe historia vijon me Epopenë çlirimtare.

Sot, Dita e Veteranëve na gjen pa dy udhëheqësit e drejtuesit më të shquar pas Marsit legjendar të Jasharajve për çlirim, pa bashkëluftëtarët tanë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin e të tjerët në mesin tonë. Andaj kjo ditë, le të jetë ditë nderimi edhe për veteranët, edhe për të gjithë të ndaluarit në Hagë, të cilët padrejtësisht mbahen larg atdheut.

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Nderim i përjetshëm për Komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen Jashari!

Nderim i përjetshëm për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë!

Image

 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat