Shtabi Emergjent në Podujevë shqyrton gjendjen e krijuar nga vërshimet, këto janë zonat më të dëmtuara

Kosova

Shtabi Emergjent në Podujevë shqyrton gjendjen e krijuar nga vërshimet, këto janë zonat më të dëmtuara

Më: 11 janar 2021 Në ora: 16:21
Shtabi Emergjent në Podujevë

Shtabi Emergjent për mbrojtje dhe shpëtim i Komunës së Podujevës, ka mbajtur sot takim në të cilin ka shqyrtuar gjendjen krijuar nga vërshimet.

Në takimin e Shtabit emergjent, të cilin e kryesoi nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, u tha se reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditëve të kaluara dhe prurjet e mëdha të lumenjve dhe rrjedhave të tjera, kanë bërë që në disa zona të ketë vërshime, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim, kurse uji ka depërtuar nëpër oborre dhe disa objekte banimi.

Lidhur me gjendjen aktuale në terren Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Fevzi Jetullahu, tha se prurjet e ujit nga reshjet e shiut dhe borës e kanë vështirësuar gjendjen në shumicën e fshatrave, përgjatë rrjedhës së lumenjve, duke shkaktuar vërshime.

Më të prekura nga vërshimet janë Dumoshi, Shtedimi, Sfeçla, Siboci, Lluga, Tërnava, Bellopoja, disa shtëpi në qytet dhe zona të tjera në disa fshatra. 

Drejtori Jetullahu tha se ekipi emergjent i Komunës, Shërbimi i Zjarrfikëseve dhe policia vazhdimisht janë në teren, për të intervenuar aty ku është e mundur në hapjen e rrjedhave të ujit dhe largimin e ujit nga bodrumet e shtëpive.

 “Për dallim nga orët e mëngjesit, aktualisht ka rënie të nivelit të ujit, dhe nëse nuk do të ketë të reshje të reja pritet stabilizim i gjendjes”, tha drejtori Jetullahu, duke potencuar se deri tani është intervenuar në evakuimin e një familjeje në qytet.

Ndërsa, Antigona Çitaku, nga Stacioni i Policisë në Podujevë, tha se pesë ekipe policore vazhdimisht janë në teren dhe se deri tani përveç dëmeve materiale nuk janë raportuar dëme në njerëz.

Si pasojë e vërshimeve të hënën nuk janë hapur ambulancat në fshatrat Halabak dhe Shtedim.

Lidhur me gjendjen e krijuar nga vërshimet diskutuan dhe dolën me propozime edhe anëtarët e tjerë të shtabit duke dhënë propozime konkrete lidhur me menaxhimin e situatës.

Kryesuesja e Shtabit Emergjent, nënkryetarja Marigona Lahu, kërkoi nga të gjithë anëtarët e shtabit angazhim konkret, në mënyrë që të gjithë të kontribuojnë në menaxhimin e situatës aktuale me vërshimet.

Ndërsa, qytetarët e Komunës së Podujevës të gjitha problemet nga vërshimet mund t’i adresojnë përmes platformës “Alo Komuna” në numrin 0800 19 110.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat