Vërshimet, Hoti: Nga nesër jemi të gatshëm të pranojmë vlerësimet e dëmeve

Kosova

Vërshimet, Hoti: Nga nesër jemi të gatshëm të pranojmë vlerësimet e dëmeve

Më: 14 janar 2021 Në ora: 16:22
Avdullah Hoti

Ditën e nesërme do të ketë vlerësim një preliminar të dëmeve të shkaktuara javën e fundit, si pasojë e reshjeve të shiut. Për familjet, shtëpitë e të cilëve janë bërë të pabanueshme si shkak i përmbytjeve, po premtohet se do të jenë prioritet për kompensimin e dëmit nga Fondi Emergjent i Qeverisë së Kosovës.

Kështu ka premtuar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, gjatë vizitës bashkë me kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati sot në fshatin Koretin, në të cilin është shembur ura dhe janë shkaktuar dëme të tjera infrastrukturore si pasojë e të reshurave të ditëve të fundit.

Hoti tha se sot paradite kanë pasur një takim me gjithë kryetarët për vlerësimin e gjendjes pas pasojave të shkaktuara nga reshjet e shiut. Megjithatë, ai u shpreh optimist që nuk ka pasur viktima në njerëz.

Hoti: Nga nesër jemi të gatshëm të pranojmë vlerësimet e dëmeve nga komuna

"Janë tri lloje të dëmeve që janë bërë. E para, në shtëpi banimi të qytetarëve në komuna, e dyta dëmet në infrastrukturë që në disa raste kanë pamundësuar edhe qasjen në shtëpi dhe vendbanime dhe ka shumë dëme në toka bujqësore. Ne do të mundohemi që përmes Fondit Emergjent, përmes rezervës shtetërore, menjëherë nga dita e nesërme do të jemi të gatshëm të pranojmë vlerësimet e dëmeve nga komuna dhe në përputhje me mundësitë buxhetore të kompensojmë një pjesë të konsiderueshme të dëmit në pjesën e parë të shtëpive të banimit", deklaroi Hoti.

Tutje, tha se do të ndihmohen të gjithë familjet, shtëpitë e të cilave janë të pabanueshme.

E kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati theksoi se do të kenë prioritet riparimin e gjitha dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut ditëve të fundit.

Kastrati: Komuna e qeveria do të shohin mundësitë që sa më shpejt t’i riparojmë dëmet

"Në veçanti, vizita ka të bëjë me dëmet për shkak të reshjeve që ndodhën ditëve të fundit. Vendosëm së bashku të vizitojmë një prej lokacioneve ku ka më shumë dëme. E ashtu siç ka njoftuar kryeministri, na njoftoi edhe neve që do ta bëjë një fond emergjent dhe së bashku komuna me qeverinë do të shohin mundësitë që sa më shpejt për t’i riparuar këto dëme dhe gjithë atyre që përballen me situatën emergjente ose janë të zhvendosur ose kanë nevojë, për t’iu siguruar një urë ose qasje në lëvizje. Pastaj me fazën e dytë evidentohen edhe si të jenë mundësitë riparimi i gjitha dëmeve", ka thënë Kastrati. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat