Vetëm 30% të standardeve të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara janë përmbushur në Kosovë

Kosova

Vetëm 30% të standardeve të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara janë përmbushur në Kosovë

Më: 19 janar 2021 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, do duhej të sigurojë dhe garantojë “shoqëri gjithëpërfshirëse në të cilën personat me aftësi të kufizuara realizojnë potencialin e tyre të plotë dhe jetojnë jetë dinjitoze si qytetarë të barabarte”, thuhet në reagimin e Handikos.

Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë konsiderojnë se me gjithë veprimet që janë ndërmarrë viteve të fundit në përmirësimin e jetës, ata vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në të gjitha aspektet jetësore të cilat ua pamundësojnë jetën e dinjitetshme dhe realizimin e të drejtave të tyre, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe aktet tjera ligjore të Republikës së Kosovës.

Strategjia Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara 2013-2023 deklaron se “gjendja e tanishme e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë, nuk përmbush realizimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore në kushte të barabarta me të tjerët”.

Raporti Hulumtues i vitit 2020 “Ku qëndron Kosova” ka gjetur se vetëm 30% të standardeve të të drejtave të personave me aftësi te kufizuara janë përmbushur në raport me legjislacionin Evropian.

Më 3 Dhjetor 2020 – Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara është mbajtur seancë Parlamentare lidhur me gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, ku të nesërmen Kuvendi I Republikës së Kosovës ka miratuar Rezolutën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, përmes së cilës zotohet se:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës deklaron përkushtimin për përmirësimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.

2. Inkurajohen institucionet e autorizuara, që të propozojnë amendament kushtetues për përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si instrument ndërkombëtar i zbatueshëm drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës.

3. Viti 2022, shpallet vit i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.

Andaj, si rrjedhojë të gjitha subjektet janë përgjegjëse për garantimin e kësaj të drejte e cila arrihet vetëm duke eliminuar çdo lloj pengese dhe barrier që krijon vështirësi në respektimin e parimit të mos-diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Të dhëna mbi Aftësinë e Kufizuar Sipas OBSH konsiderohet se rreth 15% e popullsisë së botës Vendet e Rajonit raportojnë se 8-12% e popullatës së tyre janë persona me aftësi të kufizuar.

Mesatarja e popullsisë me aftësi të kufizuar në vendet Evropiane dhe Amerikë është 12.6 %.

Sipas këtyre Vlerësimeve në Kosovë jetojnë diku rreth 144.000 – 270.000 persona me aftësi të kufizuara (8-15% e popullsisë).

Cenzusi i vitit 2011 ka identifikuar rreth 77 730 persona me aftësi të kufizuar.

Ndërsa, 26 247 persona kanë Status të Personit me Aftësi të Kufizuar të cilët përfitojnë nga skemat e ndryshme sociale.

HANDIKOS letër drejtuar të gjitha subjekteve politike

II. Ky dokument i adresohet subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit të vitit 2021 me qëllim të përfshirjes së çështjeve të personave me aftësi të kufizuara në programet e tyre qeverisëse dhe synon që:

Subjektet politike t’i kushtojnë vëmendjen e duhur çështjeve të aftësisë së kufizuar, duke i përfshirë në programet partiake qeveritare.

Programet e tyre të qeverisjes të kenë synime të qarta dhe veprime konkrete të matshme që do t’I marrin gjatë qeverisjes së tyre për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Çështjet e aftësisë së kufizuar të marrin vëmendjen dhe rëndësinë krahas çështjeve tjera dhe conform zhvillimeve në raport me fushat e tjera të të drejtave të njeriut.

III. Veprimet e më poshtme të cilat kërkohen të ndërmerren nga institucionet qeveritare dhe parlamenti që do të dalin nga këto zgjedhje:

1. Përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës;

2. Përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si instrument ndërkombëtar i zbatueshëm drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës;

3. Aprovimi i planit tre vjeçar mbi të drejtat e personave me aftësi te kufizuara i cili bazohet në strategjinë dhjetëvjeçare;

4. Hartimi i planit njëvjeçar përgatitor gjatë vitit 2021, për shpalljen e vitit 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës.

Kosova do të duhej të mundësojë dhe sigurojë pjesëmarrje të plotë dhe dukshmëri të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe publike.

HANDIKOS letër drejtuar të gjitha subjekteve politike

DEKLARATË E ZOTIMIT

Zotohemi se në programet dhe praktikat tona qeverisëse do të përfshijmë të drejtat dhe çështjet e personave

me aftësi të kufizuara që jetojnë në Kosovë, me qëllim të krijimit të kushteve të barabarta dhe sigurimit të një

jetese të pavarur dhe të dinjitetshme për të gjithë.

Ne do të prioritizojmë pikat si më poshtë:

1. Përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës;

2. Përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si instrument ndërkombëtar i zbatueshëm drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës;

3. Aprovimi i planit tre vjeçar mbi të drejtat e personave me aftësi te kufizuara i cili bazohet në strategjinë dhjetëvjeçare;

4. Hartimi i planit njëvjeçar përgatitor gjatë vitit 2021, për shpalljen e vitit 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat