Inspektorati i MSH-së bastis shtëpinë e shëndetit në Shtërpcë në kërkim të vaksinave ilegale anti-COVID

Kosova

Inspektorati i MSH-së bastis shtëpinë e shëndetit në Shtërpcë në kërkim të vaksinave ilegale anti-COVID

Më: 20 janar 2021 Në ora: 16:58
Foto ilustrim

Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës ka bastisur sot shtëpinë e shëndetit në Shtërpcë, që funksionon ilegalisht, sipas sistemit shëndetësor të Serbisë.

Mediat serbe në Kosovë raportojnë se inspektorati i MSH-së ka bastisur shtëpinë e shëndetit në kërkim të vaksinave anti-COVID, që Serbia edhe më herët ka sjell ilegalisht në Kosovë për të vaksinuar serbët.

“Inspektorët kanë plotësuar raportin se nuk kanë gjetur asnjë vaksinë dhe ia kanë tërhequr vërejtjen drejtorit të shtëpisë së shëndetit se mbajtja e tyre është vepër penale”, ka shkruar portali Kossev të mërkurën.

Ndërkohë, për rastin sipas këtij portali është deklaruar edhe zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Nuk ekziston arsye administrative e politike që mund të arsyetohet sjellja johumane e Prishtinës, sidomos nëse merret parasysh se kjo nuk është hera e parë që tenton të ndalojë mbrojtjen me kohë të serbëve në Kosovë”, thuhet në deklaratën e kësaj zyre.

Sipas kësaj zyre, institucionet e Kosovës nuk do të mund të ndalojnë vaksinimin e serbëve.

“Serbia po vaksinon masivisht qytetarët e saj kundër COVID-19 dhe të drejt në vaksinim kanë edhe serbët që jetojnë në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Media ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë për këto pretendime, por nuk ia ka dalë deri më tash.

Në fakt, Serbia qysh më 24 dhjetor kishte sjell disa dhjetëra doza të vaksinave anti-COVID në veri të Kosovës, gjë që kishte shkaktuar reagim të institucioneve të Kosovës. Më pas, Serbia udhëzoi serbët të shkojnë deri në Rashkë, në kufi me Kosovën, për të marrë vaksinat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat