Gastronomët: Ne bosh, ju plot

Kosova

Gastronomët: Ne bosh, ju plot

Më: 25 janar 2021 Në ora: 13:39
Shoqata e Gastronomëve ka reaguar ndaj partive politike që po i mbushin vendet e mbyllura me plot njerëz

Shoqata e Gastronomëve ka reaguar ndaj partive politike që po i mbushin vendet e mbyllura me plot njerëz dhe duke mos respektuar masat antiCovid-19.

Në një reagim të tyre, thuhet se nga fillimi i pandemisë ky komunitet ka qenë i dëmtuar, por kanë kuptuar situatën dhe për hir të shëndetit publik, kanë sakrifikuar dhe janë munduar t’i respektojnë gjitha masat ndëshkuese që i janë vënë.

Tutje shtojnë se kompromisin që kanë bërë ka shkaktuar edhe me largime nga puna, për shkak të mos mundësisë për t’i paguar punëtorët.

Ndër të tjera shtojnë se është ironike e gjithë situata kur po vjen në shprehje interesi i klasës politike, që po tregojnë se tani virusi luftohet edhe ndryshe.

Ky është reagimi i plotë:

Që nga data 13 mars e deri sot, institucionet publike të vendit janë angazhuar duke marrur vendime për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19. Këto vendime përmbajnë jo vetëm kufizime të të drejtave themelore të njeriut, përkatësisht të lëvizjes së lirë, por shkaktojnë edhe kufizime sa i përket funksionimit të mirëfilltë të shumicës së sektorëve ekonomik, e sidomos gastronomisë.

Për këto vendime, pothuajse i gjithë sektori privat, me dëshirë dhe pa dëshirë, të shtyer nga gjendja e rëndë e shëndetit publik, është pajtuar dhe zotuar që për të njëjtin qëllim, të heqë dorë jo vetëm nga përfitimet e tij, por edhe është dashur të investojë në respektimin e denjë të këtyre vendimeve.

Ky kompromis ka shkuar edhe më larg se kaq, duke lënë të papunë shumë punëtorë, e që shumë nga ta janë kontribues të vetëm në familjet e tyre.

Ironia e gjithë kësaj situate të shkaktuar, shpaloset tash kur vjen në shprehje interesi i klasës tonë politike. Kjo klasë politike, tani na tregon që virusi mund të luftohet edhe ndryshe; me mbajtje të aktiviteteve publike, grumbullim deri në 30 persona në ambiente të mbyllura, 50 persona në ato të hapura (bile në disa raste shumë më shumë se kaq), dhe respektim aty këtu të mbajtjes së maskave dhe distancës. Mesa duket për fushata zgjedhore, vendimet mund të përshtaten e të dizajnohen sipas po këtij interesi!

TURP TË KENI ÇFARË SHEMBULLI JENI DUKE DHËNË!

MOS I DËNONI MË BIZNESET, KUR VETË NUK I RESPEKTONI MASAT!

GJOBAT DUHET TË FALEN DHE KOMPENSOHEN, SE QËLLIMI I TYRE NUK ËSHTË PASURIMI I BUXHETIT, POR LUFTIMI I PANDEMISË!

JO STANDARDE TË DYFISHTA, POR LIGJ DHE KUSHTETUTË TË BARABARTË PËR TË GJITHË!

(Në pamjet e mëposhtme, mund të shihni se çfarë vullneti kanë përfaqësuesit e vendit për përmirësimin e shëndetit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë!)

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat