Forumi për Lidership dhe Diplomaci organizoi debatin “Gratë dhe vendimmarrja”

Kosova

Forumi për Lidership dhe Diplomaci organizoi debatin “Gratë dhe vendimmarrja”

Më: 26 janar 2021 Në ora: 20:14
“Gratë dhe vendimmarrja”

Forumi për Lidership dhe Diplomaci, në kuadër të Projektit “Akademia e Lidershipit-Fuqizimi i Grave dhe Vajzave në Procesin e Vendimmarrje, ka organizuar sot debatin me temë "Gratë dhe vendimmarrja" ku mysafir i debatit ishte ambasadori norvegjez Jens Erik Grondahl.

Projekti është mbështetur financiarisht nga Këshilli i Evropës, dhe u dedikohet vajzave dhe grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas për t’i fuqizuar me njohuri dhe përgatitur për vendimmarrje.

Drejtoresha ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, falënderoi pjesëmarrëset në këtë debat domethënës për këto komunitete, si dhe i përgëzoi për certifikatat që u shpërndanë për pjesëmarrëset e projektit.

“Sukseset e mëhershme të Akademisë për Lidership, gjatë edicionit të parë keni qenë dëshmitare edhe ju vajza të dashura, që ka qenë motiv edhe për aplikimin dhe pjesëmarrjen tuaj edhe në këtë projekt. Gjatë këtyre aktiviteteve duhet që të fokusohemi te një qëllim krahas ngritjes profesionale e shoqërore të çdonjërës nga ne, duhet ta dimë që do shërbejmë si model edhe për shumë vajza dhe gra tjera që për shumë arsye sot nuk janë me ne dhe të mbështesim çdo herë njëra- tjetrën pavarësisht racës, etnisë apo besimit fetar. Të gjitha vajzat dhe gratë tjera, gjatë kohës sa do të përcjellin këto aktivitete, do të shohin te ju mundësi, do shohin te ju zërin e munguar dhe do të shprehin vullnetin që në të ardhmen e afërt në aktivitete dhe projekte tjera të marrin pjesë përmes ofrimit të përvojave që ato kanë kaluar dhe të mësojnë gjëra të reja”, ka thënë Emini.

Emini falënderoi shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë Frank Power dhe Sakibe Jashari për përkrahjen financiare për realizimin e këtij projekti, ndërsa ambasadori Grondahl ka shprehur mbështetje për përmirësimin e kushteve të vajzave dhe grave nga të gjitha komunitetet për pjesëmarrje në vendimmarrje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat