​Ministria e Infrastrukturës do të subvencionojë kompanitë e transportit të udhëtarëve

Kosova

​Ministria e Infrastrukturës do të subvencionojë kompanitë e transportit të udhëtarëve

Më: 27 janar 2021 Në ora: 15:15
Arban Abrashi

Ministria e Infrastrukturës do të bëjë subvencionimin e kilometrave brenda territorit të Kosovës për të gjithë operatorët e udhëtimit. Kjo pas hartimit të një Kornize për kompensimin e kompanive që merren me transmetimin e udhëtarëve, e hartuar nga Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me Shoqatën e transportit rrugor të udhëtarëve.

Kështu bëri të ditur ministri në detyrë i Infrastrukturës Arban Abrashi në një konferencë për media sot, ku tha se kanë shqyrtuar edhe mundësinë e subvencionimit të kilometrave të udhëtimit në rrugët rajonale.

"Kjo kornizë parasheh subvencionimin për të gjithë operatorët e udhëtimit në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike. Ky është hapi i parë, pasi nesër do të kemi edhe një marrëveshje të parimeve dhe të hënën e dorëzojmë planin. Po flasim për mbi 400 kompani të cilat operojnë në Kosovë, me mbi 6 mijë punëtorë. Do të diskutojmë mundësinë e pakos së ndihmës që do të shkojë përmes komunës", tha Abrashi.

Kryetari i Shoqatës së transportit rrugor të udhëtarëve Ruzhdi Kurtishaj e quajti lajm të mirë arritjen e kësaj ujdie.

"Ky kompensim do të bëhet për kilometra. Ne kemi qenë partnerë të Qeverisë për të gjitha çështjet. Është e domosdoshme që këto kompani të subvencionohen për kilometrat e bërë, në mënyrë që të mbijetojmë në kohë pandemie", u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat