​OAK urëlidhëse në mes studentëve dhe tregut të punës

Kosova

​OAK urëlidhëse në mes studentëve dhe tregut të punës

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 15:36
​OAK

Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit të ndërsjellët, modifikimit të planprogrameve mësimore, ndërlidhjes së studentëve me tregun e punës si dhe krijimit të projekteve të përbashkëta hulumtuese, Oda e Afarizimit të Kosovës (OAK) nënshkruajti memorandum të bashkëpunimit me Fakultetin Ekonomik.

OAK dhe Fakulteti Ekonomik përmes këtij memorandumi të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, pajtohen që të krijojnë partneritet me qëllim të shkëmbimit dhe ofrimit të këshillave profesionale për bizneset në fushën e ekonomisë, si dhe studentëve të këtij fakulteti t’iu mundësohet të vijojnë praktika profesionale pranë bizneseve anëtare të OAK-së.

Kryetari i OAK-së, Skënder Krasniqi, me rastin e nënshkrimit të memorandumit theksoi se modifikimi i kurrikulave dhe ndërlidhja e studentëve me tregun e punës është nevojë imediate. Krasniqi potencoi se duhet të ketë koordinim në mes të përgatitjes së studentëve për tregun e punës me nevojat të cilat i ka tregu i punës realisht, në Kosovë, në mënyrë që të zvogëlohen diskrepancat aktuale.

Përderisa, dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj duke falënderuar OAK-në për inicimin e një marrëveshje të tillë të bashkëpunimit, potencoi se janë të gatshëm të ofrojnë ndihmën e tyre për çdo çështje që është nën kompetencën e tyre dhe e cila do të ishte në të mirë të të dyja palëve.

E nga ana tjetër, prodekani i këtij fakulteti, Alban Elshani, në mes të tjerash përgjatë diskutimit theksoi rëndësinë e konsultimit paraprak me Fakultetin, rreth çështjes së infrastrukturës ligjore që lidhen me financat dhe ekonominë, për të dhënë kontributet e tyre edhe ekspertët e fushës.

Sipas një komunikate të OAK, qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje të bashkëpunimit është që prodhimin ta bëjnë efektiv e me këtë rast studentët t’i ndërlidhim me tregun e punës që edhe para përfundimit të studimeve të kyçen dhe krijojnë marrëdhënie pune tek bizneset të cilat janë nën ombrellën e Odës së Afarizimit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat