​Tregu i automjeteve i stërmbushur me qytetarë, por pak shitje

Kosova

​Tregu i automjeteve i stërmbushur me qytetarë, por pak shitje

Më: 7 shkurt 2021 Në ora: 15:14
​Tregu i automjeteve

Në javën e dytë pas ri-hapjes së tregjeve dhe lehtësimit të masave, tregu i automjeteve në Fushë Kosovë ishte i stërmbushur me njerëz dhe mallra nga më të ndryshmet.

Megjithatë, qytetarë dhe shitës të shumtë nuk respektuan as masat për parandalimin e përhapjes Covid-19.

Tregtarët vlerësuan se vendimi për ri-hapjen e tregut është i qëlluar, ani pse sipas tyre shit-blerja është e ulët.

Pati edhe nga ata që nuk kishin vendosur maskat, sikur shitësi Hazir Lajçi, i cili tha se nuk është i kënaqur me shitjen e mallrave në këtë treg. Haziri u ankua edhe për kushtet e punës në këtë treg.

Lajçi: Sot kemi shitë pak, nuk vendosi maskë

“Prej pandemisë sot kemi shitë pakë, prej që jemi liruar prej pandemisë na kanë bllokuar, por shikoni ku jam duke punuar në lloç. Po e prishmi mallin, më shumë po bëjmë dëme se sa që po shesim. Po ka interesim nga pak, pas dy-tre muajve që kemi dalë këtu. Tregu është hapur zyrtarisht qe dy javë. Kjo është e dytë javë. Është mirë që është ri-hap, edhe pse jemi pa maska, më të sigurt jemi tash se kur na kanë lënë mbyllur. Pse nuk ke vendosur maskë? Jo, nuk e vendosi kurrë, kjo është edhe pak propagandë e këtyre që kanë dyqane për me na lënë neve të pa punë”, theksoi Lajçi.

Ndërsa, Gani Krasniqi tregtar, tha se sot pati qytetarë shumë, por shitje pak. Rihapja e tregut, ai tha se ishte vendim i qëlluar.

Krasniqi: Popull ka boll, por shitja është shumë e vogël

“Mirë që është hapur tregu, qe një vit kemi qëndrua mbyll. A ka interesim? Popull ka boll, por shitja është shumë e vogël. Çka me bërë, më mirë pak se hiq. Ka të interesuar por para s’ka”, theksoi Krasniqi.

Pati tregtar sot edhe nga ata që janë në moshë të shtyrë. Hajrullah Hasani i cili tha se ka dalë në treg për të mbajtur familjen, u ankua se nuk ka shitje, por tha se masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19, duhet të respektohen nga të gjithë.

Hasani: Nuk po ka shitje shumë, me maska po qëndrojmë

“Kemi dalë me shitë nga pak, pandemia dhe nuk po ka shitje shumë. A është mirë që është rihap tregu? Po mirë, është bërë, sepse kemi qenë të bllokuar qe 11 muaj, për me u bërë idare. Me maska, po ia dalim, mirë”, Hasani.

Vehbi Isufi nga Mitrovica që kishte dalë ta shitur veturën e tij, tha se nuk ka arrit ta shes veturën, pasi qytetarët nuk kanë para.

Isufi: Nuk ka shumë shitje, s’kanë njerëzit para

“Nuk ka shumë shitje, ndoshta edhe për shkak të pandemisë, s’ka njerëzit para. Mirë është që është hapur tregu, po lutemi ndoshta ndreqet situata, me u lehtësuar edhe masat tjera, jo vetëm tregu për me ecur puna mirë”, tha ai.

Po ashtu, edhe Rahmi Celina i cili ishte pjesëmarrës në treg tha se rihapja e tregut ka qenë e domosdoshme për tregtarët, pasi siç tha ai është burim i të ardhurave për familjet në nevojë.

Celina: Mirë që është hapur tregu, vdesim pa të

“Tregu është mirë që është hapur, sepse ekzistenca ka qenë katastrofë, pensioni nuk mjafton, unë harxhojë 75 euro për barna. Pra, mos me u marrë me zanat, asgjë. Shyqyr që kam zanat, mos me u marrë me këtë, vdes”, theksoi ai.

Të përmalluar për të blerë në vende të tilla janë edhe qytetarët, të cilët sot ishin në numër të madh në treg.

Është mirë që është ri-hapur tregu, sipas tyre, por njëkohësisht kërkuan edhe respektimin e rregullave të IKSHP-së për mbajtje të distancës dhe vendosjen e maskave.

Qytetari në moshë nga Prishtina, Shaban Isufi, i cili kishte dalë në treg vetëm për të humbur kohë, tha se masat për punë duhet të lirohen, por edhe masat duhet të respektohen.

Isufi: Puna është farsë, njerëzit duhet me respektuar të gjitha masat

“Jam dalë vetëm me humbur kohë, para s’ka, punë jo, asgjë s’ka. Puna është farsë, njerëzit duhet me respektua të gjitha masat, por pa punua asgjë s’ka”, theksoi ai.

Pati edhe prej qytetarëve të tjera që kishin interesim për blerje, siç ishte Nexhmedin Abarxhiku, i cili theksoi se tregu është pjesë e vlefshme për punë, por kërkoi që masat të respektohen.

Abraxhiku: Tregu është pjesë e vlefshme, duhet të respektohen masat

“Kam dal me blerë disa pjesë të elektronikës. Kjo është pjesa më e vlefshme e krejt Prishtinës. Por, duhet të respektohen edhe maskat, kanë vendosur maskat, por të rinjtë”, tha ai.

Përveç shitësve të veturave, ata të kafshëve e gjërave ushqimore kishin zënë tezgat e tyre, pas një vendimi të marrë nga Ministria e Shëndetësisë janar në mesin e masave tjera lehtësuese kundër COVID-19.

Sipas vendimit pazaret do të mund të punojnë vetëm me 40 përqind të kapaciteteve, por kjo nuk po u mjafton shitësve, të cilët i gëzoi ky vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat