Oda e Mjekëve reagon pas sulmit ndaj doktorit në Istog

Kosova

Oda e Mjekëve reagon pas sulmit ndaj doktorit në Istog

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 14:38
Foto ilustrim

Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj një mjeku në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog.

Kjo Odë ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë që sipas tyre po hesht e pa asnjë arsye logjike po ngec në procedimin e draft Ligjit për të Drejtat dhe përgjegjësitë e punëtorëve shëndetësor.

“Sulmi ndaj mjekëve është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbimmarrësve nëpër institucione shëndetësore, ndërkaq mjeku është bërë viktima e përhershme e këtyre sulmeve serike të cilat si duket nuk kanë të ndalur”, thuhet nga kjo Odë.

Njoftimi i plotë:

Oda e Mjekëve të Kosovës me shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim ka pranuar lajmin e sulmit ndaj kolegut i cili u sulmua dje në hapësirat e vendit të punës përkatësisht në QKMF-në e Istogut.

Sulmi ndaj mjekëve është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbimmarrësve nëpër institucione shëndetësore, ndërkaq mjeku është bërë viktima e përhershme e këtyre sulmeve serike të cilat si duket nuk kanë të ndalur.

Vetëm gjatë këtij viti janë shënuar dhjetëra raste të sulmeve fizike dhe verbale ndaj mjekëve, të cilët në vendin e punës pa asnjë mbrojtje dhe asnjë kujdes të veçuar, janë duke iu ekspozuar veprimeve vandale dhe të dhunshme. Ndërkaq, shqetësues mbetet fakti që institucionet përgjegjëse, sidomos ato menagjeriale dhe ato të ndjekjes penale, me pasivitetin e tyre janë duke amnistuar këtë fenomen që tanimë janë bërë fenomen ditor.

Tani e disa herë, Oda e Mjekëve të Kosovës ka përsëritur kërkesën që sulmet e tilla ndaj mjekëve që ndërlidhen me veprimtarinë profesionale të tyre, të trajtohen në kuptim të sanksionimit penal në kuadër të sulmit ndaj personit zyrtar dhe që këto raste duhet të trajtohen me prioritet. Prandaj, më në fund, Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat duhet të vihen në veprim, sidomos në fazën e procedurës paraprake, në mënyrë që kryesve të këtyre veprave penale tu caktohet masa e paraburgimit, duke marr parasysh probabilitetin që vepra e tillë mund të jetë e përsëritur ndaj mjekut i cili i është ekspozuar veprimit të tillë kriminal. Nuk ka asnjë dyshim që mjekët, si persona që janë të legjitimuar me leje të veçantë të punës për të ofruar shërbime shëndetësore, legjitimim ky i bërë nën kompetencën publike, në kuptim të dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës janë persona zyrtar dhe si të tillë duhet të gëzojnë mbrojtje juridike nga cilido cenim i integritetit personal dhe profesional, në veçanti kur kemi të bëjmë me sulmet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe në vendin e punës.

Këtu duhet të ceket edhe faktin se Ministria e Shëndetësisë çuditërisht rrin e heshtur dhe prapë pa asnjë arsye logjike ngec në procedimin e draft Ligjin për të Drejtat dhe përgjegjësitë e punëtorëve shëndetësor, gjë që shkon favor të këtij fenomeni të shëmtuar.

Po ashtu, Oda e Mjekëve të Kosovës përsëri kërkon nga institucionet shëndetësore, autoritetet kompetente të nivellit qëndror dhe atij lokal, që të trajtojnë me seriozitetin më të madh sigurinë në vendin e punës, pasi që mundësia e ekspozimit ndaj kriminalitetit të dhunshëm ndaj mjekut është e madhe. Trendi i deri tanishëm e ka bërë që në kuadër të vlerësimit të rrezikshmërisë në vendin e punës të përfshihet edhe rreziku objektiv i cënimit të integritetit trupor të mjekut në vendin e punës.

Oda e Mjekëve të Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale për të bashkëpunuar me akterët të tjerë shtetëror në mënyrë që të ndikojë në parandalimin e viktimizimit të mjekëve në shoqëri, si dhe të krijohen kushtet bazë të sigurisë në vendin e punës për të gjithë mjekët të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat