​Qendra e votimit në Lisock të Kamenicës nuk hapet në kohë, shkak reshjet e borës

Kosova

​Qendra e votimit në Lisock të Kamenicës nuk hapet në kohë, shkak reshjet e borës

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 13:18
Foto ilustrim

Një qendër votimi në fshatin Lisock të Kamenicës nuk ka arritur të hapë dyert në orën 07:00 për qytetarët të cilët kanë shprehur vullnetin për të votuar në këto zgjedhje. Një gjë e tillë ka ndodhur si shkak i reshjeve të dendura të borës, por që me një orë vonesë ekipet për mirëmbajtjen e rrugëve kanë filluar pastrimin dhe është vijuar me procesin zgjedhor.

Deri në orën 11:00 në Kamenicë kanë votuar vetëm 7,8 për qind e qytetarëve, përqindje kjo që po konsiderohet jo e kënaqshme. Një gjë të tillë ka bërë të ditur, zyrtari i KKZ-së në Kamenicë, Agim Kastrati thotë se 28 qendrat e votimit të tjera janë hapur me kohë.

Kastrati: Të gjitha qendrat e votimit në Kamenicë janë hapur me kohë

"Për shkak të reshjeve atmosferike të borës në qendrën e votimit në fshatin Lisock kanë shkuar deri në Hogosht, pastaj kemi thirrur personat për mirëmbajtjen e rrugës, e kanë përgatitur terrenin, dhe bashkë me ta kanë dalë. Më vonë, diku në orën 08:00 kemi depërtuar dhe është hapur edhe ajo qendër votimi. Mund të konstatojmë se të gjitha qendrat e votimit në Kamenicë, 28 janë hapur në kohën e duhur", tha Kastrati.

Kastrati bën të ditur se në disa qendra ka pasur edhe mungesë të zarfeve te votimeve me kusht, e të baterive ultravioletë.

Kastrati: Kemi pasur dy qendra votimi ku kanë munguar zarfet me kusht

"Kemi pasur dy qendra votimi ku kanë munguar zarfet me kusht. Ekipet tona kanë intervenuar shpejt dhe ato dy qendra votimi janë furnizuar me ata zarfe. Eventualisht ndonjë bateri, llamba ultravioletë ka munguar edhe ai material ka shkuar në kohën e duhur", tha Kastrati.

Ai tregon se numri i personave që kanë votuar deri orën 11:00 nuk është i kënaqshëm.

Kastrati: Shkaku i motit të keq njerëzit hezitojnë të dalin për votime

"Deri në orën 11:00 nga trupat votuese e 33, 104 votues kanë votuar 7,8 për qind. Gjë që është nën mesataren për votimet që kanë ndodhur deri më tani. Ose për shkak të motit të keq ose njerëzit hezitojnë, dikush e lë pasdite e kështu me radhë", tha ai.

Në vitin 2019, në Kamenicë kanë pasur të drejtë vote mbi 38 mijë votues. Në zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme të drejtë vote kanë mbi 33 mijë. Ndryshe, janë 28 qendra vendvotimi në komunën e Kamenicës dhe 50 vendvotime. 6 qendra votimi serbe dhe 7 vendvotime. Mbi 40 persona janë të infektuar aktualisht me COVID në këtë komunë, por shumë prej tyre nuk kanë shprehur vullnetin që të marrin pjesë në votim në këto zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat