Lajm i mirë: Shërohen tre qytetarët që u prekën me virusin britanik, mostra të reja dërgohen jashtë vendit

Kosova

Lajm i mirë: Shërohen tre qytetarët që u prekën me virusin britanik, mostra të reja dërgohen jashtë vendit

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media më datë 29 janar të këtij viti kishte konfirmuar se nga mostrat e dërguara në Gjermani rreth variantit të ri të coronavirusit, tre prej tyre kishin rezultuar pozitive.

“Kemi dërguar 30 mostra për testim në Gjermani me qëllim të hulumtimit rreth pranisë së varianteve të reja të koronavirusit. Rezultatet kanë treguar se tri mostra kanë rezultuar pozitive me variantin B117. Ne kemi pezulluar fluturimet ajrore me këtë shtet dhe nga ajo ditë nuk ka pasur lëvizje”, ka thënë ndër të tjera Zemaj.

Pas kësaj deklarate kishte një heshtje totale të Ministrisë së Shëndetësisë, duke mos dhënë informata se si ishte gjendja e tre personave të prekur me coronavirusin anglez, por edhe nëse ka raste të reja me këtë variant të ri.

Ministria e Shëndetësisë, e cila ka konfirmuar se tre persona janë shëruar ndërsa nuk ka raste të reja me variantin e ri të Covidit.

“Po, tre rastet që ju u referoheni janë shëruar (varianti britanik). Raste të reja nuk janë konfirmuar”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Reporteri.net.

MSH ka konfirmuar se ditët në vijim do të dërgojë jashtë vendit disa mostra të tjera për të parë nëse është prezent ndonjë variant i virusit.

“IKSHPK, pritet që ditët në vijim të dërgoj jashtë vendit edhe disa mostra të tjera për analizë të tyre për praninë eventuale të ndonjë varianti apo mutacioni gjenetik të virusit në mostrat që do të analizohen”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kujtojmë se 5 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit nga coronavirusi në Kosovë, kurse janë shënuar 285 raste të reja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat