Dëshmori Besnik Restelica përkujtohet si simbol i qëndresës

Kosova

Dëshmori Besnik Restelica përkujtohet si simbol i qëndresës

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 16:04
Familjarë, bashkëveprimtarë e zyrtarë institucionalë kanë marrë pjesë në homazhet kushtuar 24-vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Besnik Restelica

Familjarë, bashkëveprimtarë e zyrtarë institucionalë kanë marrë pjesë në homazhet kushtuar 24-vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Besnik Restelica. Ai është quajtur simbol i qëndresës e sakrificës për lirinë e vendit gjatë kësaj ceremonie që është mbajtur në varrezat e qytetit afër Xhamisë së vjetër në Podujevë.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se të gjithë ata që kanë punuar dhe vepruar me Besnik Restelicën e kanë shkruar historinë e lavdishme të Kosovës.

“Ne lirinë tonë ia detyrojmë të gjithë brezave që kanë punuar për lirinë e Kosovës. Por, nuk duhet të harrojmë se borxhin më të madh pse e kemi lirinë tonë është për shkak të sakrificës së dëshmorëve. Dhe kësaj i përkulemi të gjithë si qytetarët të Kosovës. UÇK ka pas edhe para se me dalë publikisht UÇK-ja. Ka qenë rrjet i organizuar i të gjithë atyre bashkëluftëtarëve të cilët kanë kryer aksione prej fillimit të viteve 90 e sidomos në këtë zonë e cila ka qenë për Kosovën gjithnjë e shquar për rezistencën e saj kundër okupimit serb, ka qenë e organizuar në krye me komandantin Zahir Pajaziti”, ka thënë gjatë kësaj ceremonie Konjufca.

Ai ka thënë se duhet të theksohet qëndresa e Besnikut në burgun e Prishtinës.

“Pra, ai iu nënshtrua torturave më çnjerëzore në burgun e Prishtinës, por për asnjë moment nuk u dorëzua. Për asnjë moment nuk u nënshtrua ndaj atyre torturave të cilat Serbia i ka ushtrua mbi popullin e Kosovës për 1 shekull me radhë prej pushtimit në vitin 1912. Po, pikërisht kjo qëndresë e Besnikut edhe kjo rënie e tij, sakrifikim i jetës për lirinë e Kosovës ishte ajo që iu dha hodh shumë të madh zhvillimeve tjera”, ka thënë Konjufca.

“Rënie e Zahirit, e Hakifit, e Edmondit edhe së bashku me të gjithë këta bashkëluftëtarë si Besniku, çuan në rritjen e rezistencës në Kosovë, në rreshtimin e shumë qytetarëve përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte pikërisht sakrifica e tyre që i bindi njerëzit se këtu ka me pas qëndresë, se populli shqiptar nuk dorëzohet, se duhet të vazhdojmë përpara me ia kthye pushkën armikut edhe okupatorit deri në çlirimi e plotë të Kosovës”.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se Besniku i takon brezit të djemve dhe vajzave shqiptare që krahas studimeve, kryefjalë të aktiviteteve të tyre kishin veprimtarinë patriotike dhe rezistencën ndaj pushtuesit serb të viteve të ’90-ta.

“Veprimtarinë e tij atdhetare ai do ta vazhdojë duke u rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga themelimi i grupeve guerile të UÇK-së. Grupi që i përkiste Besniku kryen aksione dhe veprime në Mitrovicë e Llap”, u shpreh Bulliqi.

“Derisa po përgatitej t’i bashkohej formacioneve ushtarake të Zonës Operative të Llapit të udhëhequr nga komandanti Zahir Pajaziti natën e 30 janarit të vitit 1997, Besniku bashkë me shokët e tij të idealeve dhe aksioneve Sylejman Jashari arrestohet në shtëpinë e tij në Podujevë. Nga ajo natë e arrestimit, për 25 ditë rresht Besniku u torturua barbarisht”.

Por, Besniku, sipas tij, nuk u dorëzua përballë torturave e dhunës shtazarake që ushtronin inspektorët policorë.

“Besniku ra për të mos vdekur kurrë, sepse rënia për lirinë është rilindja vetë. Falë luftës çlirimtare, sakrificës së bijve dhe bijave më të mira të kombit tonë, ne sot jemi këtu për të shënuar këtë përvjetor të lavdisë sonë, jemi këtu për të nderuar jetën dhe flijimin e Besnikut, i cili me vetëdije të plotë zgjodhi rrugën e flijimit për vendin. Përvjetorët si ky përveç nderimit të së kaluarës, na shërbejnë edhe si udhërrëfim për të ardhmen”, ka thënë Bulliqi.

Në emër të shoqatave të luftës, ka folur Fahri Balaj. Kur kujtohet Besnik Restelica, ai ka thënë se kujtojnë dhimbjen, sakrificën dhe krenarinë.

“Kur themi krenarinë, pasi kjo është më kuptimplota kur themi për Besnikun, jo vetëm familja, por e tërë shoqëria dhe shqiptaria jemi krenar me Besnikun dhe shumë Besnika të tjerë”.

Gjatë kësaj ceremonie, Hetem Ajeti, e ka ndarë një mirënjohje për familjen e Besnik Restelicës.

Besnik Restelica ishte aktiv që prej viteve 1989-1990, ku kishte marrë pjesë në demonstratat e organizuara në Podujevë, Prishtinë e Mitrovicë. Gjatë studimeve në Mitrovicë në vitin 1995 iu bashkua radhëve të UÇK-së së bashku me Asllan Selimin nga Açareva. Aktiviteti i tij në këtë kohë ishte në Zonën Operative të Drenicës deri në vitin 1997. Ai mori pjesë në shumë aksione që zhvilloheshin asokohe në këtë zonë kundër okupatorit serb. Në kohën kur po planifikohej që Besniku t’u bashkohej formacioneve të Zonës së Llapit të udhëhequr nga komandanti, Zahir Pajaziti, më 30 janar 1997, rreth orës 4 të mëngjesit, 50 – 60 policë të armatosur rrethojnë shtëpinë e Besnik Restelicës ku edhe arrestohet.

Besnik Restelica vdes në burgun e Prishtinës më 23 shkurt 1997 nga torturat, ndërsa varrimi i tij bëhet një ditë më vonë në varrezat në Podujevë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat