U shënua 24-vjetori i rënies së heroit Besnik Restelica

Kosova

U shënua 24-vjetori i rënies së heroit Besnik Restelica

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 19:42
U shënua 24-vjetori i rënies së heroit Besnik Restelica

Në 24 vjetorin e rënies, së heroit të kombit Besnik Restelica, sot janë organizuar homazhe dhe janë vendosur lule te varri i tij në Podujevë, ku ishte i pranishëm Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi me zyrtarë komunalë, familjarë të heroit e bashkëveprimtarë dhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Me rastin e shënimit të 24-vjetorit të rënies së heroit Besnik Restelica, i cili ra dëshmor më 23 shkurt 1997 nga torturat çnjerëzore që ushtruan mbi të nga inspektorët dhe hetuesit policorë për 25 ditë rresht gjatë mbajtjes në burgim, kryetari Bulliqi tha se “Besniku i takon brezit të djemve dhe vajzave shqiptare që, krahas studimeve, kryefjalë të aktivitetit të tyre kishin veprimtarinë patriotike dhe rezistencën ndaj pushtuesit serb në vitet 90’ta”.

Duke përkujtuar veprimtarinë atdhetare dhe rreshtimin e Besnikut në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga themelimi i grupeve guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari Bulliqi tha se Besniku ra për të mos vdekur kurrë, sepse rënia për lirinë e vendit është rilindja vetë.

“Falë luftës çlirimtare, sakrificës dhe flijimit të bijve dhe bijave më të mira të kombit tonë, ne sot jemi këtu për të shënuar përvjetorët e lavdisë sonë. Jemi këtu për të nderuar jetën dhe flijimin e Besnikut, i cili me vetëdije të plotë zgjodhi rrugën e flijimit për lirinë e vendit”, tha kryetari Bulliqi.

Më tej, kryetari Bulliqi tha se përvjetorët si ky, përveç nderimit të së kaluarës, na shërbejnë edhe si udhërrëfim për të ardhmen.

“Dëshmorët janë ndërgjegjja e atdheut, kurse nderimi më i madh për ta është angazhimi ynë për të ndërtuar një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht dhe me institucione demokratike që u shërbejnë të gjithë qytetarëve të saj”, tha ndër të tjera kryetari Bulliqi.

Në shënimin e këtij përvjetori ishin të pranishëm edhe ish-deputetë të Kuvendit dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Duke folur me këtë rast, Konjufca vlerësoi lart veprimtarinë heroit Besnik Restelica, pjesëmarrësin e aksioneve të para të UÇK-së kundër forcave të regjimit serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat