Në Podujevë kundërshtohet rritja e tarifës hyrëse në Stacionin e Autobusëve

Kosova

Në Podujevë kundërshtohet rritja e tarifës hyrëse në Stacionin e Autobusëve

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Transportuesit e udhëtarëve në relacionin Podujevë-Prishtinë po e kundërshtojnë shtrenjtimin e tarifës ditore hyrëse në Stacionin e Autobusëve në Podujevë. Çmimi nga 2 në 3 euro i ka detyruar ata që të mos hyjnë fare në Stacion, por të marrin një parking privat për të qëndruar gjatë kohës së marrjes së udhëtarëve. Kryetari i Shoqatës së transportuesve në relacionin Podujevë-Prishtinë-Podujevë, Beqir Mustafa, ka thënë se nga e hëna do të futen edhe në grevë.

“Po ka telashe se Komuna e kanë rrit çmimin për hyrje në stacion. E kemi pas 2 euro tash e kanë bë 3 euro, ndërsa normal duhet me kanë 1 euro. E tash në kohë pandemie e kanë bë 3 euro, na nuk kemi pranuar dhe na kanë largu nga stacioni. E kemi marrë një vend privat dhe po nisemi nga aty. Na në Stacion njëherë nuk hyjmë se na e kemi paraqit edhe grevën prej të hënës, se edhe taksitë ilegalë po na i marrin udhëtarët dhe tash të dyja i kemi bë bashkë”, ka thënë për KOHË-n Beqir Mustafa.

Ai thotë se pas luftës çmimi për hyrje ditore në Stacionin e Autobusëve ka qenë 1 euro, ndërsa me vetëdëshirë ka thënë se e kanë bërë 2 euro.

“Tash në kohë pandemie e solli një vendim që kjo pagesë të bëhet 3 euro. Na nuk kemi pranuar të paguajmë 3 euro, edhe jemi detyruar të dalim në rrugë, prej rrugës e kemi marrë një parking privat. E kemi njoftuar edhe komandantin e policisë që tash nisemi nga një vend privat aty afër stacionit. Ndërsa prej të hënës kemi grevë, te komuna kemi me dalë, derisa t’i heqin taksistët edhe ta zbresin çmimin”, është shprehur kryetari i Shoqatës së transportuesve në relacionin Podujevë-Prishtinë-Podujevë. “Qe një javë e ka pru çmimin e ri. Dhe qe një javë nuk kemi hy në stacion. Sipas rregullores shkon sa është një biletë Podujevë-Prishtinë dhe bileta është 70 centë. Pasi është kohë pandemie, na në emër të shoqatës e kemi propozuar 50 centë, derisa të dalim prej kësaj situate. Ata nuk pranuan, dhe na i mbylli dyert”.

Por, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se kundërshtimi i transportuesve të udhëtarëve është më shumë i nxitur politikisht. Sipas tij, çmimin e tarifës hyrëse e ka rritur Bordi i Stacionit të Autobusëve. Por, në këtë Bord, anëtar është edhe drejtori i Administratës së Komunës, Bahri Selimi.

“Sa i përket çmimit, këtë nuk e vendosë komuna, por Bordi i Stacionit të Autobusëve, dhe Bordi e ka vendosur këtë çmim prej 2 në 3 eurove. Kërkesa e tyre ka qenë që të bëhet 50 centë, por kjo është e pamundur, se nuk mund të mbulohen shpenzimet brenda Stacionit. Qysh kemi informata, kjo është më shumë e nxitur politikisht, pasi disa persona kanë për qëllim të dalin kundër qeverisjes dhe nuk e kanë aq shumë problem çështjen e pagesës. Edhe javën e kaluar kanë paralajmëruar protestë. Besoj që së shpejti do të takohet kryetari dhe të gjejmë një marrëveshje me ta”, ka thënë Fatri Zhitia.

Zëdhënësi i Komunës thotë se inspektorët komunalë janë tërë ditën në terren për t’i larguar taksistët ilegalë.

“Prej mëngjesit drejtori i Inspektoratit është në terren për t’i larguar taksistët ilegalë dhe po shohim mundësinë të gjejmë një alternativë që taksistët ilegalë të regjistrohen dhe pastaj të fillojnë edhe pagesat dhe po ashtu të veprojnë diku tjetër dhe jo aty ku tash parkohen”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat