Pronarët e 25 kompanive të udhëtarëve në Podujevë hyjnë në grevë

Kosova

Pronarët e 25 kompanive të udhëtarëve në Podujevë hyjnë në grevë

Më: 1 mars 2021 Në ora: 21:33
Foto ilustrim

Autobusët nga java e kaluar për shkak të ngritjes së çmimit nga 2 në 3 euro për peronizim nuk hyjnë as në Stacionin e Autobusëve në Podujevë. Përfaqësuesi i Shoqatës, Beqir Mustafa, thotë se për çmim do të merreshin vesh, sikur të mos lejoheshin taksistët ilegalë të vepronin në këtë relacion

Podujevë, 1 mars – Në grevë kanë hyrë pronarët e 25 kompanive të transportit të udhëtarëve në relacionin Podujevë-Prishtinë. Ata po kërkojnë nga autoritetet komunale dhe ato të Policisë që t’i largojnë taksistët ilegalë nga rruga. Ndryshe kanë thënë se do të detyrohen ose ta lënë punën, ose të marrin nga një kombibus apo makinë dhe të punojnë edhe ata “në të zezën”.

Kryetari i Shoqatës, Beqir Mustafa, është ankuar se për 21 vjet janë toleruar taksistët ilegalë. Ndërkohë, që për ditën e hënë ka pasur fjalë të mira edhe për Policinë, edhe për Inspektoratin Komunal.

“Na në grevë kemi hyrë nga sot, ndërsa sot është dita e katërt që kemi dalë prej Stacionit (të Autobusëve në Podujevë v.j.), se këta e kanë bërë peronizimin 3 euro për një nisje, e ka qenë 2 euro. Ajo sipas rregullores duhet 1 biletë autobusi sa kushton Podujevë-Prishtinë, që është 70 centë. Po këta e kanë bërë 3 euro, e na s’e kemi pranuar 3 euro dhe kemi dalë prej Stacionit. E ne sot jemi grevë për taksistët”, ka thënë Beqir Mustafa. “Kemi dalë prej mëngjesit, prej orës 06:00 jemi këtu, se qe 21 vjet t’u premtua e nuk kanë bërë gjë asnjëherë, as Policia, as Inspektorati, e Komuna s’kanë marrë masa. E sot inspektorët me gjithë policinë janë t’u punu mirë prej mëngjesi, i kanë larguar (taksistët ilegalë v.j.), po na prapë do të jemi këtu derisa të largohen të gjithë. Jemi t’u punuar të gjitha kompanitë me humbje, kredia, plus pandemia e kemi të kufizuar me 24 udhëtarë, e nuk mundemi me përballu”.

Megjithëse në grevë, autobusët kanë qarkulluar gjatë tërë ditës me udhëtarë. Mustafa thotë se një pjesë e kompanive janë në grevë, ndërsa pjesa tjetër punon.

“Një pjesë punon, jemi t’u qëndru këtu në grevë te Stacioni i Autobusëve dhe te taksistët ku i marrin udhëtarët, edhe atje jemi t’u qëndru, që mos me i lanë me marrë udhëtarë se policia s’i njohin të gjithë. Mos me kanë taksistët, jo 2 euro që e kemi pasur, por edhe 4 euro e bëjmë, po nuk ka punë tash”.

Hajdar Dili nga kompania “Dita”, ka thënë se kanë hyrë në grevë për shkak se prej 2020-s kanë punuar minimalisht për shkak të pandemisë dhe po ashtu për shkak të taksistëve ilegalë.

Gjata ditës, “grevistët” e kanë luajtur edhe rolin e inspektorëve e policëve. Ata para Stacionit të Autobusëve në Podujevë e kanë ndalur një taksist ilegal dhe ia kanë zbritur udhëtarët.

“Ju e patë edhe një ngjarje që ishte jo e këndshme, jo e mirë. Djemtë, konduktorët dhe shoferët e autobusëve, jemi dalë edhe na me përcjell pak me mbajt nën kontroll se ka ardhur deri aty, që i lusim organet kompetente me intervenu, se nëse nuk intervenojnë, unë besoj që ka me qenë edhe diçka më keq mes taksistëve ilegalë dhe mes konduktorëve dhe shoferëve të kompanive”, ka theksuar Hajdar Dili.

Ai ka thënë se nëse realizohet kërkesa e tyre për t’i larguar taksistët ilegalë, për të tjerat gjëra, sipas tij, është më lehtë të merren vesh.

“Traseja e Podujevës është trase humane, jo për pagesë. Është 70 centë një biletë në relacion Podujevë-Prishtinë, është një biletë nën çdo standard, nën çdo masë të transportit publik. Po, ne nuk jemi me i ngrit çmimet, po ne jemi për me pastru trasenë nga transportuesit ilegalë. Tash udhëton autobusi, në fund të ditës nuk mundet naftën dhe pagesën e punëtorëve me i mbulua. Edhe jemi në një gjendje që jemi të dorëzuar, ose të ndalemi krejt te blejmë nga një kombi ose veturë, edhe na të rrimë paralelë me shtetin siç janë taksistët ilegalë, edhe nuk merret kurrkush me ta”, është shprehur ai.

KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe nga zyrtarët komunalë, por të njëjtit gjatë ditës së hënë nuk kanë qenë në gjendje të deklarohen.

Ndërkohë, javën që shkoi, zëdhënësi Fahri Zhitia, kishte thënë se çmimin e peronizimit nga 2 në 3 euro e ka ngritur Bordi i Stacionit të Autobusëve. Ndërsa, sa u përket taksistëve ilegalë, sipas tij, inspektorët janë në terren për t’i larguar ata.

Pronarët e kompanive të transportit të udhëtarëve edhe më herët kanë mbajtur greva për shkak të taksistëve ilegalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat