Rrëfimi i profesorit Ismet Lecaj: Lulet ishin qershia mbi torte për festën time 7 Marsin

Kosova

Rrëfimi i profesorit Ismet Lecaj: Lulet ishin qershia mbi torte për festën time 7 Marsin

Më: 7 mars 2021 Në ora: 21:47
Ismet Lecaj

Një datë e madhe për arsimin shqip kudo në trojet shqiptare, është 7 Marsi, e njohur si Dita e Mësuesit.

Për këtë ka folur profesori Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Ismet Lecaj.

”Dita e Mësuesit, në të kaluarën, ka qenë festë e vërtetë nëpër shkolla duke u folur nxënëve me një përkushtim të madh për rëndësinë e 7 Marsit të vitit 1887 dhe hapjen e Shkollës së Parë Shqipe si dhe për sacrifice në maksimum të intelektualëve shqiptarë për hapjen e këtij institucioni me rëndësi kombëtare sepse Turqia të gjitha kombëive tjera u lejonte hapjen e shkollave, kurse te shqiptarët vinte një pikë të madhe të zezë”.

”Pra, gjersa serbët, bullgarët, aromunët e grekë e gëzonin njëprivilegj tëtillë, shqiptarëve nuk u lejohej një gjë e tillë”.

Ndonëse tashmë në pension, Lecaj ka ndarë edhe histori nga momentet e tij me kolegë, sa ishte profesor në Shkollën e Mesme ”Ruzhdi Berisha” në Dragash.

”Me të gjithë kolegët kam pasur marrëdhënie të forta kolegiale, sidomos me ata, që angazhoheshin nëpër aktivitete të ndryshme me karakter kombëtar. Me ta ishim si një trup i vetëm dhe dëshironim që përmes aktiviteteve të ndryshme ta ruanim identitetin kombëtar duke mbajtur orë letrare, duke organizuar drama me mesazhet e forta kombëtare dhe ajo që ishte kryesorja ishim shumë kompakt në atë drejtim duke dhënë maksimumin secili prej nesh që ta kishim në duart tona rezultatin e kërkuar ndër dekada”.

Ai përmend që lulet, ishin ‘’qershia mbi tortë’’, si dhurata më e bukur që pranonte nga nxënësit atë kohë.

”Zakonisht i pranoja lulet me gjithë dëshirë dhe nuk i lejoja nxënësit të harxhohen për gjërat që kushtonin shumë sepse ua dija gjendjen financiare gati të gjithëve. Lulet ishin qershia mbi torte për festën time 7 Marsin”.

Për të mësimdhënia në kohën e sotme, krahasuar me atë të kaluar kanë dallime të mëdha.

”Besoj se ka pasur angazhim më të madh në kohën kur unë ligjëroja dhe se disciplina ka qenë më në nivel kur mundja të angazhohesha maksimalisht në çdo orë mësimore. Doja që nxënësit të arsimoheshin e edukoheshin në frymën e çështjes kombëtare, ta kuptojnë realitetin e Kosovës së robëruar, që sa më shpejt të dilet nga andej duke u thënë se shkolla është arma më e forte për t’i dalë zot mëmëdheut”.

”Orët gati nuk na mjaftonin mua e kolegëve të mi patriotë”.

”Nxënësëve ua siguroja lektyrën shkollore dhe nga veprat e tilla të lexuara kërkoja punimin e referateve. Madje rol të veçantë luanin edhe inspektorët e arsimit të atëhershëm, që i vizitonin shkollat si shpesh dhe jepnin vlerësimin e vet për secilin veç e veç”.

Për këtë ai thekson disa arsye.

”Sot më bëhet se me këto planet e reja sikur kalohet shpejt e shpejt si mbi një fushë të minuar duke u frikësuar të shkoqitet materia e kërkuar detajisht dhe duke kaluar shkil e shko mbi to, pa i përvetësuar nxënësit kapitujt e një lënde aq sa duhet, por çdo gjë fluturimthi”.

Mes tjerash, si një profesor, ai jep disa vërejtje, për të cilat thotë se po shfaqet ndryshk i sistemit mësimor.

”Dhe ajo që është më e keqja mungon disciplina në shumë shkolla gjë që paraqet ndryshkun e sistemit mësimor dhe masat e marra ndaj shumë problemeve të pazgjidhura dhe të tillat gjithnjë grumbullohen dhe vazhdojnë gjeneratë pas gjenerate”.

”Inspektorët e Arsimit gati që nuk ekzistojnë dhe kur i vizitojnë shkollat më bëhet se vetëm e kryejnë një obligim sa për ta siguruar rrogën e vet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat