Podujevë: Shtyllat dhe trafot e vendosura në trotuare, Komuna heq dorë për rregullimin e tyre

Kosova

Podujevë: Shtyllat dhe trafot e vendosura në trotuare, Komuna heq dorë për rregullimin e tyre

Më: 15 mars 2021 Në ora: 20:34
Foto

Komuna e Podujevës ka hequr dorë për  rregullimin e shtyllave elektrike, të cilat janë vendosur kohë më parë nëpër trotuaret e rrugëve të qytetit.

Rregullimin e tyre e pati paralajmëruar qysh në ditët e para të punës si drejtor i Inspektoratit të Komunës së Podujevës, Ajet Potera.

“Kushdo që ka dhënë leje, apo pëlqim për një projekt të tillë qofshin ata institucione, zyrtarë apo emër i përveçëm, kanë shkelur fillimisht në profesionalizëm, pastaj në të gjitha ligjet e rregulloret në fuqi, përfshirë vetë kompaninë që ka bërë diçka të shëmtuar e jo profesionale që nuk sheh dhe nuk gjenë askund në ndonjë shtetet evropiane! Këto projekte të trashëguara në këtë mënyrë nga qeverisja e mëhershme, do t’i kushtojë dhjetëfish qytetarëve, buxhetit dhe do ta bëjë të duket qyteti i Podujevës i shëmtuar edhe për disa vite! Kjo do të ri rregullohet por nga dënimi nuk duhet të shpëtojnë përgjegjësit”, pati shkruar ai në Facebook, duke kritikuar ashpër ish-pushtetin e LDK-së, e cila, sipas tij, ka lejuar një gjë të tillë.

Por, tashmë Komuna e Podujevës ka vendosur t’i zbatojë lejet për qëndrimin e tyre nëpër hapësira publike. Kështu është thënë në një përgjigje për llapiinfo nga Komuna e Podujevës.

“Sa i përket çështjes së shtyllave dhe trafove të vendosura nga KEDS-i, ato trafo që janë vendosur në trotuar pengojnë shumë qytetarët gjatë ecjes së tyre përgjatë trotuareve ku ato trafo janë vendosur, poashtu edhe bizneset përreth tyre i po i pengojnë shumë, si dhe kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë imazhin në qytet. Por këto punime për t’u zhvilluar kanë marr leje nga qeverisja e kaluar nga Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtje e Mjedisit, andaj ne jemi të obliguar të zbatojmë atë leje dhe pëlqim”, kanë thënë nga Komuna.

“Ne shprehim indinjatën tone të thellë lidhur me këtë projekt që është realizuar dhe kemi shprehur pakënaqësinë tonë edhe gjatë takimeve që janë zhvilluar me përfaqësuesit e KEDS-it”, thuhet tutje në përgjigjen e Komunës.

Duhet theksuar se shtyllat elektrike dhe ato të komunikacionit rrugor janë vendosur vite më parë, teksa në rrugën e qendrës “Zahir Pajaziti”, ishin vendosur me zgjerimin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat