Nis ndërtimi i ujësjellësit për disa fshatra të Vushtrrisë, vlerësohet investim jetik

Kosova

Nis ndërtimi i ujësjellësit për disa fshatra të Vushtrrisë, vlerësohet investim jetik

Më: 26 mars 2021 Në ora: 13:08
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ka nisur sot projekti për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për fshatrat Dumincë e Poshtme, Dumnicë e Mesme dhe Dumnicë e Epërme të komunës së Vushtrrisë.

Ky projekt është vlerësuar të jetë jetik për banorët e kësaj ane, që pritet të furnizohen me ujë mbi 3 mijë e 500 banorë.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha në këtë inaugurim të punimeve se projekti në vlerë prej 444 mijë euro është donacion nga Qeveria zvicerane përmes CDI-së.

Tahiri tha se punimet nisin nga sot për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në fshatin e Dumnicës dhe njëkohësisht do të punohet edhe në fshatrat e Artakollit, e që pritet të përfundojë në shtator të këtij viti.

Tahiri: Mbi 3500 banorë do të furnizohen me ujë të pijshëm me këtë projekt

“Në kuadër të këtij projekti do të kemi tre rezervuar, dy stacione të pompimit dhe 24 kilometra rrjet të ri të shtrirë këtu në Dumnicë. Në këtë vend do të kemi stacionin e pompimit, ndërsa më lartë do të jetë rezervuari përmes së cilit do të furnizohen me ujë Dumnicat dhe një pjesë e Stanovcit. Njëkohësisht në Artakollit do të ndërtojmë stacionin e pompimit dhe pastaj me ujë do të furnizohet Zhilivoda, Beçuku edhe Stroci me ujë të pijshëm. Qeveria zvicerane përmes CDI-së po bën shtrirjen e rrjetit primar dhe rregullimin e stacionit të pompimit dhe rezervuarve, ndërkohë komuna me mjete të saj dhe me participimin e qytetarëve bën kyçjet individuale. I tërë projekti do të përfundoj deri në fund të muajt shtator. Të gjithë banorëve urime, janë mbi 3500 banorë në të dy anët që do të kyçen në këtë projekt të ujësjellësit dhe sot është një ditë bardhë për këta banorë”, tha Tahiri.

Përfaqësuesi i konzorciumit “Dorsch CDI”, Astrit Vokshi i cili tha se është përgjegjëse për implementimin e projekteve të furnizimit me ujë të zonave rurale të financuara nga Qeveria Zvicerane dhe Qeveria e Kosovës.

Vokshi theksoi se në kuadër të këtyre projekteve në Kosovë, sot është inauguruar edhe fillimi i punimeve për këto projekte në Vushtrri.

Vokshi: Shpresojmë edhe në realizime të projekteve të tjera

“Sa i për ketë punimeve, ne jemi në bashkëpunim të plotë me kompaninë regjionale e cila është e angazhuar edhe në planifikimin dhe mbikëqyrjen si dhe pranimin e sistemeve, edhe për konsumatorë të ri. Iu uroj për projektin e Ujësjellësit të këtyre fshatrave, besoj që në të ardhmen do të kemi një bashkëpunim edhe më të plotë, duke i plotësuar nevojat e fshatrave dhe qytetarëve”, tha Vokshi.

Ndërsa, me këtë rast Sami Miftari, kryeshef ekzekutiv në Ujësjellësin regjional të Mitrovicës, e ka quajtur investim jetik për këto fshatra.

Miftari: Projekti është jetik për këto fshatra

“Ky është një investim jetik për këto fshatra, për momentin jemi duke i bërë edhe kyçjet individuale pasi që rrjeti veç ekziston. Besoj që para shtatorit do të përfundoj ky projekt jetik për këto fshatra”, theksoi Miftari.

Kryetari i Vushtrrisë ka theksuar po ashtu se projekte të tilla do të realizohen në të ardhmen edhe në fshatra të tjera të Vushtrrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat