Nderohen 10 dëshmorët e familjet Rama nga Obiliqi, sakrifica e tyre udhërrëfyes për politikanët

Kosova

Nderohen 10 dëshmorët e familjet Rama nga Obiliqi, sakrifica e tyre udhërrëfyes për politikanët

Më: 27 mars 2021 Në ora: 14:14
Pamje nga vendi i ngjarjes

Obiliqi sot ka përkujtuar 10 dëshmorët, anëtarë të familjes Rama në mesin e tyre edhe fëmijë, të vrarë para 22 viteve nga forcat serbe.

Për t’i nderuar të rënët e familjes Rama, sot u vendosen kurora lulesh pranë̈ lapidarit në këtë qytet.

Kryetari i kësaj komune Xhafer Gashi tha se sot po nderojnë dhe kujtojnë jetën dhe veprën e familjes Rama që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se kontributi i kësaj familje në luftën për liri mbetet shembull për të gjithë.

Gashi: Sakrifica e familjes Rama dhe shumë familjeve të tjera sollën lirinë që ne sot po e gëzojmë

“Ne sot jemi këtu për të nderuar jetën dhe veprën e familjes Rama, jemi këtu për të kujtua që sakrifica e familjes Rama dhe shumë familjeve të tjera sollën lirinë që ne sot po e gëzojmë. Andaj, e di që familja e bashkëluftëtarët e familjes Rama sot e keni një ditë më të vështirë, sepse kujtohet dhimbjet, por njëkohësisht kujtohet edhe krenaria e bashkëluftëtarëve tonë. Ndihuni krenarë, respekt për të gjithë”, tha Gashi.

Ndërsa deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci theksoi se sakrifica e familjes Rama do të jetë udhërrëfyes për deputetë e Kuvendit të Kosovës, siç tha ai për ta bërë shtetin e Kosovës më të fortë.

Bajqinovci: Sakrifica dhe vepra e familjes Rama do të jenë udhërrëfyes për neve deputetëve

“Lufta e tyre, sakrifica dhe vepra e familjes Rama dhe shumë dëshmorëve të tjera të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jenë udhërrëfyes për neve deputetëve të kuvendit që të punojmë dhe shtetin e Kosovës ta forcojmë më shumë. Lavdi dëshmorëve të kombit”, tha ai.

Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Obiliq, Esat Krasniqi, tha se jetojmë krenar me këtë krenari që e dhuruan familja Rama me flijimin për vendin dhe për kombin. Teksa shtoi se në themelet e lirisë po ndërtohet shteti i ri demokratik.

Krasniqi: Në themelet e lirisë po ndërtojmë shtetin e ri

“Kemi arsye të jemi krye lartë, sepse djemtë tanë ndryshuan rrënjësisht të dijshmen. Shemben përgjithmonë pushtetin e egër jugosllav dhe në themelet e lirisë po ndërtojmë shtetin e ri demokratik”, theksoi Krasniqi.

Familjari i dëshmorëve Arben Rama ka rrëfyer për luftën që kanë bërë këta dhjetë të rënë 22 vjet me parë me forca të armatosura serbe.

Rama: Është bërë rezistencë 2-3 orë më forcat serbe

“Këtu është bërë rezistencë diku 2-3 orë, arsyeja është se kur kanë tentuar familjarët tjerë me ikë këtej arave, forcat serbe me armatim të rëndë kanë filluar me i gjuajtur mbi civilët, fëmijë, gra dhe kështu kanë zgjatur luftimet derisa janë vrarë”, rrëfyer Rama.

Edhe Agron Xhemajli, bashkëluftëtarë tha se familja Rama rezistoi heroikisht, duke mos lëshuar shtëpitë as në kohët më të vështira.

Me 27 mars 1999 gjëmonte Kastrioti nga krismat e armëve të ndryshme, të cilat ishin drejtuar nga shtëpia e Agron Ramës. Po këtij zjarri e kësaj flake Agroni me Farukun dhe Albertin ishin detyruar t`i përgjigjen me zjarr .Po këtë ditë barbarët vranë 10 anëtarë të familjes Rama në mesin e tyre edhe fëmijë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat