Prej tre vjetësh zvarritet finalizimi i lapidarit në Kraishtë të Lipjanit

Kosova

Prej tre vjetësh zvarritet finalizimi i lapidarit në Kraishtë të Lipjanit

Më: 5 prill 2021 Në ora: 20:02
Foto ilustrim

Familjarët e martirëve dhe dëshmorëve në fshatin Kraishtë të Komunës së Lipjanit kanë shprehur shqetësime lidhur me projektin e një lapidari i cili përveçse nuk ka përfunduar tash e tre vjet, punimet e kryera në të kanë nisur të demolohen si pasojë e cilësisë së dobët. Familjarët kanë kritikuar ekzekutivin me arsyetimin se e kishte ndryshuar projektin pa pëlqimin e familjarëve. Sipas familjarëve, në këtë lapidar nuk është vendosur ndonjë pllakë për ta ditur statusin e saktë të këtyre varrezave derisa atë e vizitojnë shumë qytetarë. Aty mungojnë edhe disa mbishkrime të martirëve të tjerë, e po ashtu ka edhe gabime teknike. Banorët kërkojnë që lapidari të mirëmbahet dhe të ndërrohen pllakat e dyshemesë, siç ishin të planifikuara me standarde.

Skënder Bajrami, banor nga ky fshat, ka thënë se tre familjarët e tij të vrarë në luftë së bashku me të tjerët e meritojnë një lapidar më të mirë dhe të finalizuar.

“Ne si familjarë nuk jemi të kënaqur me këtë pllakë që e kanë ndërtuar, sepse ne kemi kërkuar që dyshemeja të shtrohet me kubëza e jo me pllaka që nuk u rezistojnë temperaturave të ulëta. Po ashtu, këtu nuk ua kanë dhënë as statusin, sepse këtu ka martirë, por edhe dëshmorë. Unë e kam vëllanë e vrarë së bashku me dy djem. Pastaj është një grua që ia kanë gabuar edhe vitin e lindjes”, ka thënë Bajrami.

Sipas tij, kërkesat e familjarëve të martirëve dhe dëshmorëve nuk janë marrë parasysh nga ekzekutivi i Komunës.

“Këtu në pllakë as nuk ia kanë dhënë statusin, pllaka është rregulluar shumë keq, mjerim, me zift i kanë kapur pllakat në mur. Këto punime janë kryer me para të taksapaguesve të qytetarëve, plus ka pasur të shtrohet 2.5 metra rruga me kocka e me ndriçim prej hyrjes së Xhamisë e deri te pllaka, por nuk e kanë shtruar. Vetëm kur të del diçka në opinion, atëherë punon diçka kryetari i Komunës dhe stafi i tij. Ne nuk jemi të kënaqur me këtë projekt, sepse njerëzit kanë dhënë jetën për këtë vend. Gjaku i tyre do të na vret”, ka thënë Bajrami.

Edhe bashkëfshatari i tij, Naser Dedushi, ka thënë se është shqetësuese se si ky projekt po zvarritet prej disa vjetësh.

“Pllaka nuk është punuar siç duhet. Ka pasur të shtrohet edhe kjo rruga këtu deri te pllaka, mirëpo projekti ende nuk është realizuar deri më tash. Ndërkohë kemi një kërkesë për Komunën e Lipjanit që ky projekt të realizohet dhe të shtrohet rruga për shkak të vizitorëve të shumtë që vijnë te kjo pllakë dhe njashtu kemi dëshirë që ky projekt sa më shpejt të realizohet”, ka thënë Dedushi. Sipas tij, kërkesat e banorëve deri më tash nuk janë shqyrtuar nga Komuna.

Shkaku i gabimeve teknike në mbishkrime të ndryshme dhe zvarritjes së projekteve për lapidar, disa herë ka reaguar ish- komandanti i UÇK-së, njëherësh kuvendar nga radhët e AAK-së, Ramiz Qeriqi.

“E pata përmendur në Kuvend që mbishkrimet në këtë pllakë në Kraishtë nuk janë të sakta e sidomos për një grua dhe për punime jocilësore, mirëpo kërkesa ime nuk është marrë parasysh, sepse kryetari e ka shumicën në Kuvend dhe po bën çfarë po dëshiron vetë. Krejt kjo është se nuk bashkëpunon kryetari me njerëz adekuatë. Këto gabime i ka bërë edhe te dëshmorët, pra ai nuk e ka ndonjë historiat të mirëfilltë as të dëshmorëve e as të martirëve. Nuk e din as cili është dëshmor e as cili është martir, sepse nuk bashkëpunon me ata që kanë qenë pjesë e luftës, pra ai është kundër tyre”, ka thënë Qeriqi. Ai ka shtuar se është e rëndë për komandantët të flasin për lapidarë të dëshmorëve e martirëve pas një kohe të gjatë nga përfundimi i luftës, derisa ata është dashur të përfundonin shumë kohë më parë.

“Për mua është e vështirë të flasë, sepse shumica e dëshmorëve kanë qenë nën komandën time dhe për këtë e kam rëndë të flas. Sidoqoftë, kryetari i Komunës është dashur të kërkojë të dhëna për dëshmorët, të gjithë ata kanë dhënë gjak për këtë vend dhe janë të barabartë, por historia e tyre dallon, sepse dikush është vra atë ditë që ka hyrë në luftë e dikush ka marrë pjesë në shumë beteja. Mirëpo kryetari i Komunës nuk e di se kush është dëshmor dhe kush është martir, sepse nuk ka shënime të sakta dhe as nuk është interesuar t’i kërkojë ato”, ka bërë me dije Qeriqi.

Në anën tjetër, gjatë së hënës pyetjeve të KOHES rreth kësaj çështjeje nuk u janë përgjigjur drejtori i Shërbimeve Publike në Lipjan, Rasnim Hasani, e as zëdhënësi i Komunës, Diamant Bytyqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat