Jakupi: Vaksinat ruse dhe kineze nuk janë të regjistruara në Agjencitë Botërore

Kosova

Jakupi: Vaksinat ruse dhe kineze nuk janë të regjistruara në Agjencitë Botërore

Më: 8 prill 2021 Në ora: 19:37
Foto ilustrim

Kryetari i Odës së Farmacistëve, Arianit Jakupi, ka sqaruar në detaje se si rrjedh procedura e regjistrimit të një vaksine për t’u zyrtarizuar në përdorim, duke iu referuar rastit të situatës me pandeminë.

Ai thotë se vaksinat antiCOVID-19: Pfizer, Astra Zeneca dhe Moderna, janë të regjistruara në Agjencitë Botërore të Medikamenteve, ndaj s’duhet shfaqur dilema në aplikimin e tyre në mbrojtje ndaj koronavirusit.

Sipas tij, hezitim duhet shfaqur në vaksinat ruse dhe kineze, të cilat akoma nuk janë të regjistruara.

”Flasim për proces rregullativ nëpër të cilin kalon një produkt medicinal, që neve na garanton sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë e një produkti medicinal, përfshirë edhe vaksinat në këtë rast”.

”Produktet medicinale fillojnë studimet e tyre në laborator dhe kur mblidhet në një dosje, pastaj nëse në atë dosje ku në rast se të gjitha dalin pozitive, me atë dosje aplikohet për t’u regjistruar ai produkt medicinal, ku dëshmohet se benefiti i marrjes së një produkti, i një vaksine është më i madh sesa rreziqet që ajo vaksinë shfaq si efekte anësore”.

”Por, me kaq nuk përfundon procesi”.

”Ne kemi disa vaksina që aktualisht po përdoren në disa vende të botës. Në nivel të agjensive kredibile botërore, kemi të regjistruara vaksinat Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna”.

”Vaksinat ruse dhe kineze nuk janë të regjistruara në Agjencinë Botërore dhe ky është problemi pse ne hezitojmë që këto t’i marrim sepse është përgjegjësi e jashtëzakonshme që një Kryeshef i Agjensisë siç është tek ne AKPM-ja, përkatësisht edhe ministri i Shëndetësisë, të lejojë një produkt i cili nuk i ka dëshmuar këto studime klinike dhe paraklinike që janë bërë në popullatë”.

”Ne jemi të sigurt, sepse në një agjenci kredibile bëhen studime të shumta rreth këtij dokumentacioni dhe përcjelljes së efekteve anësore në popullatë”.

”Agjencia Europiane e Barnave thotë se derisa nuk ka një aplikim të tillë nga vaksina kineze, vaksina ruse ka aplikuar, është në procedurë të regjistrimit, mbetet që shtetet individualisht ta regjistrojnë dhe ta përdorin por mbetet që përgjegjësinë ta marrin vet”.

”Do të thotë që derisa ne si Kosovë kemi kapacitete të kufizuara me numër shumë të ulët të profesionistëve që punojnë në Agjenci të Barnave, është shumë e vështirë të merret një përgjegjësi e tillë sepse në rast se ndodhë një fatalitet mbetet në përgjegjësinë e atyre zyrtarëve që e lëshojnë vaksinën e tillë në përdorim”.

‘Unë për vete kam qenë kryeshef në AKPM, dhe në siutatën e sotme kisha dhënë dorëheqje dhe nuk e kisha nënshkruar vaksinën e cila nuk ka marrë regjistrim në nivel të Bashkimit Europian apo në ndonjë nivel agjencie”.

”Hezitimi vlen për këto vaksina të paregjistruara, por nuk duhet të vlejë hezitimi për tri vaksinat tjera të regjistruara, Astra Zeneca, Pfizer dhe Moderna, për të cilat përcillen efektet anësore – pra këto janë kushtet që ju vendosen kompanive që çdo efekt anësor që duhet të raportohen patjetër dhe këto efekte që raportohen, janë efekte që pastaj do të rivlerësohen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat