Evropa sot shënon ditën e të drejtave të pacientëve, ku Kosova është anëtare që nga viti 2013. Me këtë rast, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka reaguar për problemet me të cilat janë përballur pacientët gjatë kësaj kohe sa ishte shfaqur pandemia COVID-19.
Sipas kësaj shoqate, menaxhimi i pandemisë u shoqërua me shumë probleme, gjë që ndikoi në shkeljen masive të të drejtave të pacientëve.
Kjo ditë e gjen pacientin kosovar më shumë se asnjëherë tjetër të ekspozuar ndaj një rreziku të madh shëndetësor siç është pandemia COVID-19. Kjo pandemi mori jetën e më shumë se 2.000 qytetarëve tanë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shumë të tjerëve në mënyrë të tërthortë. Menaxhimi i pandemisë që nga fillimi u shoqërua me shumë probleme, gjë që ndikoi në shkelje masive të të drejtave të pacientëve. Ndër problemet kryesore ishin, politizimi i pandemisë që nga fillimi, mungesa e testeve, mungesa e oksigjenit, masat preventive jo adekuate, mosrespektimi i masave, fushata e shfrenuar e partive politike, hapja e specializimeve që e la kujdesin parësor në mungesa të mëdha të mjekëve, ulja e buxhetit për barna, ndaljen e shërbimeve eletive shëndetësore, e krejt në fund edhe mungesën e vaksinave për qytetarët tanë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në fund, PRAK u bëri thirrje institucioneve që në afat sa më të shkurtër kohor të sigurojnë qasje të qytetarëve në vaksinim, skenës politike të jetë e unifikuar rreth mbrojtjes së shëndetit publik të qytetarëve, qytetarëve të respektojnë masat në mënyrë që të ketë sa më pak persona të vdekur.