Paditësi propozon të ndërpritet procedura civile në rastin ku po kërkon anulimin e konkursit nga QKMF në Istog

Kosova

Paditësi propozon të ndërpritet procedura civile në rastin ku po kërkon anulimin e konkursit nga QKMF në Istog

Më: 22 prill 2021 Në ora: 14:47
Pamje nga seanca

Paditësi Ismet Demaj, në seancën e së enjtes, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Pejë, dega Istog, që të ndërpres procedurën civile në rastin ku ai po kërkon anulimin e konkursit të shpallur nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), në Istog.

Fillimisht, gjykatësi Shemsedin Haxhijaj ka bërë të ditur që mungon përfaqësuesi i të paditurës QKMF në Istog, edhe përkundër faktit që për mbajtjen e seancës ka qenë i njoftuar me anë të procesverbalit nga seanca paraprake, por se mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, paditësi Demaj i propozoi gjykatës që seanca të mbahet në mungesë të autorizuarit të paditurës.

Propozimin për ndërprerje të procedurës, paditësi ka thënë se e bën për faktin se tanimë ka bërë një shënim zyrtar në Prokurorinë Themelore në Pejë, e siç tha ai, varësisht nga rrjedha në atë procedurë do të vazhdoj tutje.

Në lidhje me propozimin për ndërprerje të procedurës, gjykatësi Shemsedin Haxhijaj ka thënë se do të vendos jashtë seance, pas deklarimit edhe të përfaqësuesit të paditurës.

“Seanca shtyhet. E radhës do të caktohet pas vendosjes për propozimin e paditësit për ndërprerje të kësaj procedure.”, ka thënë gjykatësi Haxhijaj.

Sipas padisë, së ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë dega në Istog, më 27 tetor 2020, paditësi Ismet Demaj po kërkon nga ana e gjykatës që të detyrohet e paditura QKMF në Istog, që të anuloj konkursin me numër 642, të 27 korrikut 2020.

Në padi thuhet se në vendin e punës ku ka aplikuar paditësi Demaj, është pranuar Kastriot Idrizaj, i cili është djali i punëtorit që ka dalë në pension, e i cili ka hyrë në punë përmes nepotizmit.

Paditësi pretendon që ka kualifikimin arsimor dhe përvojën më të madhe dhe se ka përparësi në raport me tashmë të punësuarin në QKMF në Istog, Kastriot Idrizaj.

Gjithnjë sipas padisë, paditësi pretendon që gjatë konkursit janë bërë shkelje që nga faza e aplikimit e po ashtu edhe gjatë intervistimit me gojë, e se për këtë arsye i njëjti ka bërë ankesë brenda afatit ligjor, ku ka bërë të ditura shkeljet lidhur me konkursin në fjalë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat