51 ushtarë të FSK-së mbjellin fidanë në shkollën “Ibrahim Rugova” në Obiliq

Kosova

51 ushtarë të FSK-së mbjellin fidanë në shkollën “Ibrahim Rugova” në Obiliq

Më: 22 prill 2021 Në ora: 15:45

“Parku i ushtrisë” do të jetë emri tash e tutje që do të mbajë oborri i shkollës fillore në Obiliq, “Ibrahim Rugova”. Në këtë hapësirë sot u mbollën 51 fidanë, për të shënuar vitin e 51-të të Ditës së Tokës. Për këta fidanë do të kujdesen vetë nxënësit e kësaj shkolle. Gjatë së enjtes u bë thirrje për mbrojtjen e planetit dhe vetëdijesimin e qytetarëve.

51 pjesëtarët e FSK-së me po aq nxënës mbollën fidanë në shkollën “Ibrahim Rugova”, në Obiliq. Kjo është organizuar nga OJQ “Projekti 5 cent”, me qëllim të gjelbërimit dhe ruajtjes së tokës.

Në shënimin e kësaj dite kanë marrë pjesë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të mbështesë gjithmonë të tilla aktiviteteve, duke shtuar se planeti ka nevojë për gjelbërim.

Mehaj: Bota ka nevojë për ne

“Bota ka nevojë për ne, ambienti, planeti, kështu që këso aktivitete do të kenë përkrahjen e FSK-së dhe ushtrisë sonë. Koordinimi do të jetë i përbashkët në tëra këto aspekte. Kjo na duhet që të inkurajojmë edhe më shumë mësimin në shkolla, që planeti me të vërtetë ka nevojë për gjelbërim, në ruajtjen e ambientit”, tha ai.

Në vitin e 51-të të shënimit të Ditës së Tokës, kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi tha se mbjellja e fidanëve sot, duhet të shërbejë si vazhdimësi e ditëve në vijim për qytetarët e Obiliqit që prioritet të jetë gjelbërimi.

Gashi: Ushtarët janë ata që po japin jetë të re

“Simbolika e kësaj mbjellje të drunjve halorë, është pikërisht që ushtarët janë ata që e kanë sjellë lirinë, po e mbrojnë vendin. Ushtarët janë ata që po japin jetë të re, në këtë rast për tokën. Dhe nxënësit do të jenë ata që në vazhdimësi do të jenë në përkujdesje të këtyre drunjve që po mbjellën sot”, tha Gashi.

Mbjellja e këtyre drunjve është bërë në Obiliq, meqë konsiderohet me shkallën më të madhe të ndotjes së ajrit. Gjatë së enjtes në shumë komuna është shënuar Dita Botërore e Tokës, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për ruajtjen e planetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat