Mirëseerdhe në Klinën e Dukagjinit, prof. Anton Çetta

Kosova

Mirëseerdhe në Klinën e Dukagjinit, prof. Anton Çetta

Nga: Lekë Mrijaj Më: 1 maj 2021 Në ora: 16:21
Busti i Anton Çettës

Sot me 1 maj 2021 në ora 11:00, në sheshin "Nënë Tereza" në Klinë, është zbuluar busti i Liderit të Levizjes së pajtimit të gjaqeve e veprimtarit, shkrimtarit, mbledhësit të folklorit shqiptar, profesor Anton Çettës.

Zbulimi i bustit të prof. Anton Çettës është realizuar në kremtim të 101 vjetorit të lindjes së tij dhe 31 vjetorit të ngjarjes së madhe të Kuvendit të Besëlidhjes shqiptare të faljeve të gjaqeve në Verrat e Llukës në Deçan. Aksion i pajtimit të familjeve shqiptare qe nismën e kishte marrë nga Lumbardhi, nga disa studentë të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë e intelektual të tjerë të Kosovës. Pikërisht në atë vend kulmoi iniciativa më fisnike e rinisë sonë, e faljes dhe shtrirjes së dorës së pajtimit në ç'rrënjosje të hakmarrjes për t'i hapur shtigje Luftës Çlirimtare për Liri e Pavarësi, në ndërtim të shtetit të Kosovës, ku me atë rast me 1 maj 1990 te Verrat e Llukës, morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, ku u falën qindra gjaqe dhe ngatërresa të ndryshme ndërshqiptare.

Projekti në ndërtim të bustit të prof. Anton Çettës, si nismë apo ide ka rezultuar nga Forumit të Intelektualëve "Luigj Gurakuqi" Klinë, Kryetari, prof. Pal Canaj, e Vendimit final të miratur nga Kuvendi. Vendim i cili mori mbështetjën e Kryetarit Komunal prof. Zenun Elezaj, kryesuesit z. Fadil Gashi, e të gjithë asambleistet e kompletuar të Kuvendit Komunal të Klinës.

Image

Projekti është realizuar nga mbështetja atdhetarëve e veprimtarëve vullnetmirë nga mërgata shqiptare në Zvicërr, qe kryesohej nga z. Krist Qeta, z. Gani Nikqi e mbështetës të tjerë nga Zvicra.

Ndërtimi i bustit të prof. Anton Çettës është realizuar nga mjeshtri i shkëlqyer, prof. Agron Blakçorri e derdhur në bronz nga shkritorja Emiljano Nurçja në Miradi të Epërme të Fushë Kosovës.

Në këtë manifestim të sotëm morën pjesë edhe dy deputet e Kuvendit të Kosovës, z. Anton Quni, z. Haki Abazi, personalitete të tjera të kulturës, si dhe qytetarë të tjerë Klina, Dukagjini dhe të tjerë nga mbarë Kosova, Shqipëria, Trojet Tona Etnike e mërgata shqiptare.

Moderimin e këtij manifestimi e bëri, studentja, Agnesa Bojaj, e cila që në fillim tha se: "Lartësimi i bustit të Anton Çettës dhe përkujtimi për këtë figurë të ndritur të historisë sonë kombëtare na ka tubuar sot në këtë shesh të qytetit të Klinës. Inaugurimi i këtij monumenti e nderon qytetin e Klinës, është një nder për Klinën dhe qytetarët e saj".

Zbulimin e bustit të prof. Anton Çettës e bën: z. Zenun Elezaj, Kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, nga Forumi i Intelektualëve "Luigj Gurakuqi " në Klinë, prof. Pal Canaj kryetar, përfaqësues të besimëve fetare, dom Fran Sopi, mulla Xhevat Kryeziu, vajza e prof. Antonit, znj/sha Donika Çetta e z. Krist Qeta.

Image

Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, ndër të tjera tha se Anton Çeta e atdhetarët tjerë filluan misionin jetësor, pajtimin e shqiptarëve, duke trasuar rrugën e bashkimit të shqiptarëve kundër armikut shekullor dhe lirisë e pavarësisë së Republikës së Kosovës. “31 vite më parë, me nismën e profesorit, shkrimtarit e njeriut të urtë, Anton Çetës, kishte filluar në gjithë Kosovën një aksion fisnik, humanitar e kombëtar për pajtimin e gjaqeve e ndaljen e vëllavrasjes. Në këtë kohë, kur pushtuesi serb kishte filluar marrjen e masave represive, atdhetarët shqiptarë filluan ngritjen e vetëdijes kombëtare. Viti 1990 bëri bashkë intelektualë, akademikë, studentë, fshatarë e aktivistë, me një mision jetësor e kombëtar, pajtimin e shqiptarëve e ndaljen e hasmërive. Pikërisht kur pushtuesi synonte të na përçante e të na sundonte, Anton Çeta e atdhetarët tjerë, filluan misionin jetësor, pajtimin e shqiptarëve, duke trasuar rrugën e bashkimit kundër armikut shekullor, lirisë e pavarësisë së Republikës së Kosovës. 31 vite pas kësaj ngjarje që bashkoi popullin shqiptar e dha një ndihmesë jashtëzakonisht të madhe në ngjarjet e mëvonshme, Anton Çeta po na bashkon prapë në Klinë. Unë falënderoj përzemërsisht Forumin e Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe Këshillin e Donatorëve në Zvicër, dhe jam jashtëzakonisht i lumtur për vendosjen e bustit të këtij njeriu të urtë e atdhetar të madh në Klinë, këtu pranë shtatores së humanistes së madhe shqiptare, Nënë Terezës. Të dy, si profesor Anton Çeta ashtu edhe Nënë Tereza, kanë lënë pas vetës shembujt më të mirë, jo me fjalë por me vepra konkrete, se si duhet të punohet për një të ardhme të ndritur e të qetë, si duhet të punojmë për të mirën e përgjithshme, duke i shtrirë dorën e pajtimit e ndihmës njëri tjetrit. Veprat e tyre për ne janë udhërrëfimi i duhur”, tha në fund të fjalës së tij, kryetari Elezaj.

Image

Ndërsa Ne emër të Rinisë së athershme të Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve, foli znj. Have Shala, e cila tha se profesor Anton Çeta dhe pajtimi i gjaqeve kanë emërues të përbashkët, pajtimin, paqen dhe dashurin nder shqiptarë.

Prof. Pal Canaj, Kryetar i Asociacionit të Forumit të Intelektualëve “Lugj Gurakuqi” në Klinë, në fjalën e tij tha: "Historia e fundshekullit të XX, në Kosove, si periudhe e përpjekjeve për çlirim nga okupatori serb pasqyrohet përmes vlerave të saje, siç janë, Lëvizja Politike për Çlirimin e Kosovës e prirë nga Ibrahim Rugova, Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve e prirë nga Anton Çetta dhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e prirë nga Adem Jashari. Prandaj këto figura të rrënjosura në kujtesën historike të popullit shqiptar, meritojnë të jene të monumentalizuara edhe përmes busteve dhe shtatoreve në sheshet e qyteteve të Kosovës. Në vazhdim të fjalës sê tij prof. Canaj pērmendi nismën dhe vullnetin e intelektualeve klinas si Prend Buzhala, Dode Ndrecaj , Leke Mrijaj e te tjerë, mori përkrahjen nga veprimtarët Krist Qeta dhe Gani Nikqi, të cilët kontribuuan financiarisht, se bashku me shumë bashkatdhetarë tjerë nga diaspora në Zvicër, te cilët emër për emër meritojnë pafundësisht mirënjohje. Realizimi artistik i portretit në bronz të Profesor Anton Çettes është modeluar nga skulptori i talentuar Agron Blakqori, vepra e te cilit do ta hijeshoj qytetin e Klinës, ndërsa derdhja në bronz është realizuar nga duart mjeshtërore të Emiliano Nurçja."- tha në fund të fjalës së tij, prof. Canaj.

Image

Njëkohësisht për kontributin e profesor Anton Çetës dhe të donatorëve me një fjalë rasti u paraqit edhe Gani Nikqi, udhëheqës financiar nga Këshilli i Donatorëve në Diasporë, Zvicërr.

Për gazetën "Bota Sot" del edhe Zef N. Grabanica i cili në mes tjerash tha: "Mikun e babait tim plakun e urtë bacën Anton, e kam njohur që nga në vitet 80-ta. Ai, ishte mik i mirë i babait tim-Nikollës, i cili shumë herë në atë kohë vinte në konakun e shtëpisë sonë dhe në Restoranin tim "Horizonti" në Klinë, e qe në atë kohë gjithëherë babai im e shoqëronte profesor Antonin, në grumbullimin e anektodave. Prof. Anton Çetta, ishte edhe pjesë e redaksisë së librit të babait tim qe titullohet: “Tregime odash” (1994). Andaj për nismën e veprës në fjalë i përgëzoj bashkvëndasit e mi, prof. Pal Canaj, prof. Prend Buzhala, publicistin Lekë Mrijaj e prof. Dodë Ndrecaj, intelektual të Forumit "Luigj Gurakuqi" në Klinë. Pikërisht ishin këta intelektual qe jetësuan projektin tjetër madhor (pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeut), në qytetin e Klinës për të madhin prof. Anton Çetta, Lider i Levizjës së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë i cili mblodhi përmbi gjysmëmilioni shqiptarë te Verrat e Llukës së Deçanit. Me atë rast edhe unë isha pjesmarrës i asaj ngjarje madhore kombëtare ndërsa pas përfundimit të atij Manifestimi, udhës për në shtëpi, jam keqtrajtuar e rrahur pamëshirshëm nga policia serbe gjatë asaj dite të 31 majit 1990. E them me plot përgjegjësi se Beslidhje të tilla zakonisht u paraprijnë Betejave Çlirimtare, nisur nga Kuvendi i Lezhës i marsit 1444, Lidhja e Prizrenit deri te Lufta Çlirimtare e UÇK-së. Gëzuar, klinasit e mi, dukagjinas, e gëzofshim gjysëmshtatorën e Plakut të urtë mendjendritur e liderit të Pajtimit të Gjaqeve, prof. Anton Çettës."

Njëkohësisht edhe Ramadan Zhabota Dani tha: Urimet më të mira për të gjithë ata qe kanë punuar dhe vepruar për ta vendosur bustin e kolosit me të madh Shqiptar që ka njohur historia, i njohur posaqërisht për ndihmesën e madhe qe dha për faljen e gjaqeve në Kosovë. Urime Klinë qyteti im. Sa keq me vjen qe nuk kam mundesi të jem pjesëmarrës, por nga zemra ju përshëndes të gjithëve. Ju lutem që në emrin tim dhe te familjes së Dëshmorit Avni Ali Zhabota ti përshendesni të gjithë pjesmarrësit. Urime!

Ndërsa Pjetër Cara nga Shqipëria permes një urimi tha: Bravo Klina! Ju lumtë dhe urime për portretin e atij atdhetari patriot, intelektuali të lartë i Kulturës shqiptare, që luftoi për lirinë e të drejtat e popullin të tij dhe për pajtimin kombëtar! Ta gëzoni që të kuvendoni në vazhdimësi me atë burrë të ditur Mirdite, shembull të mençurisë popullore! Një falenderim të veçantë tepër miqësor për nismëtarët dhe stafin organizativ të kësaj ngjarje të rëndësishme me vlera të larta përkujtimore!

Manifestimi në fjalë u përmbyll pas intetpretimit të një pike artistike nga rapsodët, Halit Gashi këngë dedikuar prof. Anton Çettës si dhe grupi i vallëtarëve nga Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat