Ka filluar ndërtimi i trotuarit 2.7 km në Drenoc

Kosova

Ka filluar ndërtimi i trotuarit 2.7 km në Drenoc

Më: 4 maj 2021 Në ora: 16:44
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në kuadër të realizimit të projekteve kapitale në Komunën e Malishevës, si dhe të investimeve për rregullimin e infrastrukturës së përgjithshme, në fshatin Drenoc, i cili është vendbanimi më i madh në komunë, ka filluar ndërtimi i 2.7 kilometrave trotuar, që lidhë një pjesë të madhe të fshatit dhe ka rëndësi të madhe për të banorët, e në veçanti për nxënësit, që shkojnë në dy nga tri shkollat që ka fshati.

Për këtë qëllim, sot nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori i shërbimeve publike, Milazim Morina dhe ai i urbanizmit, Ahmet Morina, e kanë vizituar sot fshatin Drenoc, ku janë pritur edhe nga kryetari i fshatit Nehat Krasniqi, i kanë parë nga afër punimet në ndërtimin e këtij trotuari, si dhe janë takuar edhe me qytetarë të kësaj pjese të fshatit.  

Pasi është njoftuar me punimet, nënkryetari Berisha ka thënë se “edhe ky projekt, është një prej shumë investimeve që janë duke u realizuar në Komunën e Malishevës, por kur bëhet fjalë për ndërtimin e trotuareve, atëherë bëhet fjalë për sigurinë për të gjithë, e në veçanti për fëmijët-nxënësit, të cilët detyrimisht ecin në këtë pjesë, rrugës për në shkollë, dhe për këtë jemi shumë të kënaqur që kemi mundësi të krijojmë siguri më të madhe për të gjithë”.

Kryetari i fshatit, Nehat Krasniqi, e ka falënderuar komunën për këtë investim shumë domethënës për tërë fshatin, pasi lehtësohet qarkullimi dhe krijohet siguri për të gjithë.

Drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, ka bërë të ditur se trotuari ka një gjatësi prej 2.7 kilometrave dhe mundësohet nga buxheti i Komunës së Malishevës, ndërsa punimet janë duke u zhvilluar në bazë të planit dhe sipas aftave të parapara kohore për ndërtimin e trotuarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat