Reagon FDHK, kërkohet përfshirja e të gjitha viktimave në pllakën përkujtimore në Lluzhan

Kosova

Reagon FDHK, kërkohet përfshirja e të gjitha viktimave në pllakën përkujtimore në Lluzhan

Më: 5 maj 2021 Në ora: 12:25
Pllaka përkujtimore kushtuar viktimave, e ngritur nga Komuna e Podujevës

Në përvjetorin e 22-të të ngjarjes tragjike në urën e Lluzhanit, me datë 1 maj 2021, në vendin e ngjarjes është përuruar pllaka përkujtimore kushtuar viktimave, e ngritur nga Komuna e Podujevës. Në pllakën përkujtimore janë shënuar emrat e 31 viktimave të nacionalitetit shqiptarë, duke përjashtuar edhe 13 viktima serbe që po ashtu humbën jetën në këtë ngjarje.

Kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi përmes një postimi në Facebook, mes tjerash, deklaroi ‘’kemi shpalosur pllakën përkujtimore me të gjithë emrat e viktimave që kanë pësuar nga kjo tragjedi’’.

Për informim të publikut, sipas të dhënave të deri tanishme të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), me datën 1 maj të vitit 1999, rreth orës 13:00, NATO goditi autobusin e Niš Ekspresit i cili në atë moment gjendej mbi urën e Lluzhanit dhe po qarkullonte në drejtim të Prishtinës.

Si pasojë e kësaj ngjarje, humbën jetën 44 persona. Ndër ta ishin 31 civilë Shqiptarë dhe 13 Serbë, në mesin e të cilëve 7 civilë.

FDHK shprehë shqetësimin e thellë rreth mënyrës së tillë të përkujtimit të viktimave, e veçanërisht kur institucionet lokale dhe shtetërore kontribuojnë në fuqizimin e narrativave të njëanshme që vënë përpara versione selektive të historisë. Mohimi i viktimave në baza etnike, është fyerje për viktimat dhe familjaret e tyre si dhe thellon përçarjet mes komuniteteve në Kosovë.

Prandaj, FDHK kërkon nga Komuna e Podujevës që pllaka përkujtimore të paraqes drejtë ngjarjen e 1 majit të vitit 1999, duke përkujtuar kështu të gjithë ata që kanë humbur jetën në atë ngjarje. Gjithashtu, FDHK bën thirrje që të gjitha nismat për memoriale në nder të viktimave që t’i përfshijnë të gjitha viktimat, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre gjinore, raciale apo etnike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat