Podujeva pritet do t’i shtojë ekipet e vaksinimit kundër COVID-19

Kosova

Podujeva pritet do t’i shtojë ekipet e vaksinimit kundër COVID-19

Më: 16 maj 2021 Në ora: 22:02
Foto

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Komunën e Podujevës pritet t’i shtojë ekipet për vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19.

Epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama, ka thënë se aktualisht janë duke punuar dy ekipe, derisa siç ka thënë ajo, pritet të shtohen edhe 3-4 ekipe tjera.

“Tash për tash janë duke punuar 2 ekipe, kurse pritet të shtohen edhe 3-4 ekipe tjera në ditët në vijim”, ka thënë Rama.

Më tej, Rama ka deklaruar se përgjatë dy ditëve të fundit janë vaksinuar në Podujevë 420 persona.

“Para tri dite jemi furnizuar me 700 doza të vaksinave anti-covid. Nga data 14.05.2021 e deri më sot në mesditë janë vaksinuar 420 persona. Vaksinimi po shkon në rregull dhe nuk ka ndonjë ankesë pas vaksinimit”, është shprehur Rama.

Në anën tjetër, në këtë Komunë ka nisur të bie nën 100 numri i rasteve aktive me COVID-19, gjersa në tri ditët e fundit janë konfirmuar pozitivë vetëm dy qytetarë.

Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, të dielën pozitivë për koronavirus kanë rezultuar dy persona, njëri nga fshati Peran dhe tjetri nga fshati Bellopojë.

Si pasojë e rënies së rasteve të reja ditore është zvogëluar edhe numri i rasteve aktive me COVID-19 në Komunën e Podujevës, krahasuar me javët që lamë pas.

Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare në këtë Komunë, Bedrie Rama.

“Sot jemi informuar për dy raste pozitive në rajonin e Podujevës. Aktualisht janë edhe 67 raste aktive me po këtë virus”, është shprehur Rama.

Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në mbi 5 mijë. Deri tash janë raportuar 61 viktima, kurse rreth 4 mijë pacientë janë shpallur të shëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat