Pandemia nxori në sipërfaqe dobësitë në arsim

Kosova

Pandemia nxori në sipërfaqe dobësitë në arsim

Më: 5 qershor 2021 Në ora: 13:41
Mësimi online. Fotografi ilustruese

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Maqedonisë së Veriut, e ka vlerësuar si të suksesshëm, procesin mësimor të zhvilluar në kushte pandemie.

Viti shkollor në Maqedoninë e Veriut përfundon më 10 qershor. Por, që nga 13 marsi i vitit 2020, për shkak të pandemisë COVID-19, shkollat u mbyllën dhe mësimi nisi që të zhvillohej në formë online.

Ministria e Arsimit ka thënë se gjatë këtij viti shkollor ka pasur probleme të vogla apo mungesë të kushteve për një numër të vogël të nxënësve.

“Përveç që mësimi është zhvilluar sipas parashikimeve tona, ministria paralelisht është në proces të zbatimit të reformave, si digjitalizimi, programet mësimore, zgjatja e orëve, që janë të domosdoshme për ngritjen e cilësisë në arsim”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Por, vlerësime të ndryshme kanë dhënë nga Unioni i Shkollave të Mesme, nga shoqata e prindërve “Mësim dhe libra patjetër të ketë”, por edhe nga profesorë të njohur universitarë.

“Ky vit shkollor, në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë me COVID-19, na ka treguar se sa lëshime ka sistemi arsimor duke filluar me kualitetin e mësimdhënies dhe për të vazhduar me pjesën e vlerësimit të nxënësve, që në shumicën e rasteve kanë qenë dhe vlerësime paushallë të bëra nga mësimdhënësit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Blendi Hodai nga Unioni i Shkollave të Mesme.

“Për fat të keq, për shkak të mospasjes së një strategjie koncize nga Ministria e Arsimit, ne kemi ardhur në atë situatë që edhe vet institucionet e pranojnë që se sistemi arsimor këtë vit ka çaluar. Ne si Union i Shkollave të Mesme dhe në muajt paraprak e kemi vlerësuar Ministrinë e Arsimit si të paaftë në menaxhimin me procesin arsimor në kohë të pandemisë”, thekson Hodai.

Mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë, mungesa e një platforme kombëtare për mësim online, mungesa e internetit në shumë zona rurale, pastaj nisja e reformave për digjitalizim të procesit mësimor në kohën kur arsimi po përballej me probleme shumta, bëri që të formohej një nismë qytetare, e cila kërkon normalizimin e procesit mësimor e që më pas të nisin reformat me konsultime të gjera.

Dragana Spasevska nga shoqata “Mësim dhe libra patjetër të ketë”, thotë për Radion Evropa e Lirë se mësimi në kohën e pandemisë më shumë ka lënë trauma te fëmijët sesa që ata të kenë arritur të marrin njohuri nga mësimi online.

“Kemi humbur shumë në cilësinë e arsimit. Nuk mundet që një fëmijë të mbajë një orë mësimore apo të dëgjojë mësuesin duke qëndruar i shtrirë në shtrat. Realisht fëmijët kanë humbur shumë, nuk kanë arritur të marrin njohuritë elementare. Më shumë kishte tallje sesa mësim. Me një fjalë, mësimi online në kushte të pandemisë, ka dështuar… Uroj që në shtator fëmijët të kthehen në shkolla. Do të ishte një gjë shumë e mirë. Kjo duhej të ndodhte shumë më herët, por të paktën të lutemi që nga shtatori të hapen dyert e shkollave”, thotë Spasevska.

Profesori i pedagogjisë, Xheladin Murati, thotë se Ministria e Arsimit gjatë pandemisë fare pak u mor me menaxhimin e nxënësve në kushte të pandemisë, duke mos ofruar as një platformë të përbashkët për mësim online, ndërsa në shkollat profesionale mungoi edhe pjesa praktike e mësimit.

Ai thotë se reformat e nisur për digjitalizimin e arsimit janë nevojë e kohës, por ato duhet të realizohen më vonë, pasi për momentin prioritet duhet të jetë normalizimi i arsimit apo kthim në gjendjen normale.

“Digjitalizimi nënkupton qëndrimin e nxënësve para kompjuterit nga tetë deri më dhjetë orë, ndërsa të gjithë ne jemi të interesuar që fëmija të rrinë sa më larg internetit, larg kompjuterit apo telefonit. Askush nuk e trajton problemin sesa do të ketë efekte negative shëndetësore në zhvillimin e fëmijës. Nëse fëmija rrinë gjatë kohë para kompjuterit do të ketë deformime trupore, fizike, do të ketë shqetësime emocionale, do të nxitet agresivitetit, do të krijohet stresi i pakontrolluar, fëmija do të izolohet në botën e tij dhe nuk do të kontrollohet nga të tjerët, do të ndikojë në të menduarit kritik”, thotë profesori Xheladin Murati./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat