Jerliu: Stuhia ka dëmtuar lartpërçuesin e Strezofcit, dy lagje në Kamenicë ishin pa rrymë për disa orë

Kosova

Jerliu: Stuhia ka dëmtuar lartpërçuesin e Strezofcit, dy lagje në Kamenicë ishin pa rrymë për disa orë

Më: 21 qershor 2021 Në ora: 23:47
Foto ilustrim

Reshjet e dendura të shiut dhe breshërit të shoqëruara edhe me stuhi e kanë përfshirë edhe  komunën e Kamenicës duke shkaktuar dëme kryesisht në serrat bujqësore.

Koordinatori i shtabit emergjent për vërshime në komunën e Lipjanit, Hysen Jerliu, tha se dëme ka pasur edhe në lartpërçuesin e Strezofcit duke mbetur pa rrymë dy lagje “Çamëria” dhe “Malësia”.

Jerliu në Edicionin Special tha se stuhia ka zgjatur diku rreth 30 minuta duke u bartuar në disa vende.

“Po, në komunën e Kamenicës në orët e mbrëmjes kemi pasur të reshura që kanë qenë të shoqëruara me erëra të forta dhe të përcjellur edhe me breshër. Sipas informatave që kemi marrë nga terreni kemi dëmtime kryesisht në bujqësi, në serra”.

“Ka dëme në disa fshatra si: Krilevë, Kremenadë, Feriqevë, Hogosht, Kopernicë, Busavatë dhe disa vende të tjera çka kemi marrë informata nga qytetarët. Përveç këtyre kemi pasur edhe rrëzimin e një plepi i cili ka shkaktuar dëme në lartpërçuesin e Strezofcit, ku për disa orë lagja Malësia dhe Lagja Çamëria ka mbetur pa energji elektrike. KEDS-i ka intervenuar dhe diku para një orë rryma është lëshuar dhe gjendja është e qetë”.

“Ne po presim qysh nesër herët në mëngjes ta vizitojmë secilin lokalitet dhe të bëjmë vlerësimin e dëmeve nga afër. Stuhia në Kamenicë ka zgjatur diku rreth gjysmë ore por është bartur nga vendi në vend. Nuk ka pasur stuhi përnjëherë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat