​Vushtrria me platformë informuese për investitorët nga diaspora

Kosova

​Vushtrria me platformë informuese për investitorët nga diaspora

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 13:17
Vushtrria

Në dekadën e fundit janë shënuar rreth 280 milionë euro investime të huaja. 60 për qind prej këtyre investimeve kanë qenë në patundshmëri. Megjithatë, pritjet janë që diaspora të trajtohet veçantë nga investimet e përgjithshme të huaja. Kështu u tha në lansimin e platformës “Invest in Vushtrri” në komunën e Vushtrrisë.

I pari i kësaj komune, Xhafer Tahiri tha se kjo platformë është shumë e rëndësishme për diasporën, por edhe për Kosovën. Ai ka thënë se ambasadori më i mirë për popullin shqiptar është diaspora.

Tahiri: Ambasadori më i mirë i popullit shqiptar janë diaspora

“Përtej ambasadave që i kemi hapur gjithandej nëpër botë, përtej konsullatave dhe atasheve ekonomike që i kemi gjithandej në botë, ambasadori më i mirë i popullit shqiptar janë mërgata, diaspora. Fakti që ju keni arritur që në vendet ku jeni të krijoni biznese të suksesshme dhe të punësoni qindra e mijëra njerëzve dhe të krijoni kapital që të vini të investoni tek ne, është dera më e mirë që e pret me dashuri, secilin prodhues nga Kosova për t’iu qasur tregut evropian. Prandaj, edhe kjo mundësi sot në kuadër të shumë mundësive të tjera që i ka pasur komuna e Vushtrrisë me rrjetin e bizneseve të diasporës, me organizatën ‘Germin’, është një shans më shumë që të njihemi me njëri-tjetrin dhe të vazhdoni pastaj ju komunikimin me njëri-tjetrin”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri ka paraqitur projektet e ngrohtores së qytetit, impiantit të ujërave të zeza dhe të atë gazifikimit të qytetit. Ai ka thënë se po synojnë edhe kredinë e butë të komunës, sipas të cilit, do të nxitet punësimi në nivel lokal dhe rajonal, zhvillon bujqësinë dhe blegtorinë dhe ligj tregjet më shpejt me kosto më të ulët.

E, Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”, theksoi se bashkëpunimi për lansimin e kësaj platforme ka filluar para dy vitesh, me qëllim të informimit të të gjithë investitorëve nga diaspora për mundësitë e investimit që ofron Vushtrria.

Krasniqi: Kjo platformë ka për qëllim informimin e të gjithë investitorëve nga diaspora

“Kemi kënaqësinë që sot së bashku me komunën e Vushtrrisë po e lansojmë një platformë e cila ka për qëllim informimin e të gjithë atyre afaristëve, investitorëve potencial mbi mundësitë që ofron Komuna e Vushtrrisë. Dhe gjithashtu ofrimin e mundësive për lidhje mes bizneseve lokale dhe atyre nga diaspora. Shumë herë na kanë pyetur se cili është kriteri që ju bën juve me vendos me cilën komunë me bashkëpunuar, përtej elementeve të ambienteve biznesore, njëra nga kriteret kryesore është gatishmëria dhe vullneti i komunës, përkatësisht edhe kryetarit për të hapur derën për afaristët nga diaspora”, u shpreh ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti potencoi se lansimi i kësaj platforme shton përpjekjet për rritjen e investimeve të huaja. Sipas tij, remitencat kanë shënuar rritje të theksuar në 980 milionë euro në vitin 2020.

Mehmeti: Eksporti i shërbimeve në vitin 2020 ka qenë 628 milionë euro

“Unë besoj që në shumë aspekte do të ketë efektin shumë më të madh në tërheqjen e investimeve. Organizimi i këtyre forumeve, i këtyre takimeve e mundëson lidhjen dhe komunikimin mes bizneseve vendore dhe atyre që vijnë nga diaspora. Ekonomia në nivel global është goditur nga pandemia në tërësi. Sidomos masat të cilat janë ndërmarrë për parandalimin e përhapjen së pandemisë COVID-19, si në Kosovë ashtu edhe në nivel global kanë shënuar një rënie të theksuar ekonomike. Rënia ekonomike është diku rreth 6,6 për qind po flas për vitin 2020. Në Kosovë rënia ekonomike sipas ASK-së shënohet 3,9 për qind rënia ekonomike. Një nga faktorët që ka ndikuar në rënien ekonomike është edhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, sidomos nga vendet nga vijnë diaspora. Gjë që ka bërë që të ulet eksporti i shërbimeve nga 1,3 miliardë sa ka qenë në vitin 2019, në 628 milionë që ka qenë në vitin 2020”, u shpreh ai.

Më tej, ai ka shtuar se ka rritje të kreditimit në baza vjetore, ku ka inkurajuar diasporën për investime në Kosovë.

Mehmeti: 60 për qind e investimeve janë në patundshmëri

“Nëse shohim vetëm investimet e huaja direkte, dikun mesatarja për dhjetë vite janë 280 milionë euro investimet e huaja direkt. Në vitin 2020 ka qenë 324 milionë, po si mesatare 280 milionë euro. Prej tyre pjesa dërmuese janë 60 për qind të dedikuara për patundshmëri, ose më saktë në blerje të banesave. Unë besoj dhe ju siguroj që Kosova ofron edhe mundësi të investimeve edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë”, ka shtuar ai.

Arian Zeka, i cili është drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane tha e zhvillimi ekonomik nis nga njësia themelore, për këtë ka kërkuar që iniciativa të tilla të kenë edhe komunat tjera.

Zeka: Rëndësia e diasporës dhe investimet e diasporës janë të patjetërsueshme

“Rëndësia e diasporës dhe investimet e diasporës janë të patjetërsueshme. Ne jemi jashtëzakonisht të varur si një shtet i ri prej diasporës edhe prej kontributit që jepin në zhvillimin ekonomik të vendit. Është pyetje e pashmangshme sa herë që kemi takime me investitorët e huaj se cila është përqindja ose pjesëmarrja e investimeve të diasporës në totalin e investimeve të huaja, dhe nëse analizojmë strukturën e investimeve se ku ndodhin investimet edhe sipas shteteve, por edhe në cilin sektor ndodhin investimet, atëherë e shohim që është i pashmangshëm kontributi i diasporës”, ka shtuar Zeka.

Për ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu diaspora po ndihmon Kosovën po aq sa ka vet buxhetin e përgjithshëm.

Gërxhaliu: Ky vit është rekord i remitencave bashkë me vitin 2020

“Ky vit është rekord i remitencave bashkë me vitin 2020. Por, duhet të pranohet e vërteta që kontributi i diasporës është pothuajse tre-fishi që evidentohet në transaksionet bankare dhe financiare. Në qoftë se në Parlamentin e Kosovës votohet një buxhet prej 2 miliardë e 430 milionë euro, bindeniqë diaspora kontribuon minimum me po aq buxhet për të ndihmuar Kosovën. Ajo cfarë është më shqetësuese është fakti që nuk e meriton ndjersa e pastër e diasporës që të jetë gjykuar paraprakisht për tu shpenzuar në konsum. Duhet një qasje e re, të ndryshohet qasja dhe të mos pyetet gjithmonë “Çka diaspora dhe sa kontribuoj për Kosovën?”, ka thënë Gërxhaliu.

Ekspertja e marrëveshjeve ekonomike-tregtare, Sytrime Dervisholli shtoi se roli i diasporës është i rëndësishëm, por jo çdo herë i është dhënë trajtimi i duhur. Ajo ka kërkuar që mos të trajtohen njëjtë me investitorët tjerë të huajë. Organizata “Germin” ka publikuar edhe një hulumtim për qarkullimin vjetor të bizneseve. Arbnor Mjeku nga kjo organizatë ka njoftuar se mbi 1 milion e bizneseve e kanë qarkullimin vjetor 18,6 për qind.

Ndërsa, 100 mijë deri në 500 mijë euro qarkullim vjetor kanë 11,6 për qind. Më tej, 97,6 për qind kanë deklaruar që rritja e buxhetit të tyre është si shkak i ardhjes së diasporës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat