​Të varfër por me zemër të madhe, qytetarët e Kosovës bamirës por edhe të mashtruar

Kosova

​Të varfër por me zemër të madhe, qytetarët e Kosovës bamirës por edhe të mashtruar

Më: 20 korrik 2021 Në ora: 11:53
Ilustrim

Qytetarët e Kosovës janë ndër popujt më të varfër në Evropë, por dhe me zemër të madhe. Gjatë periudhës së pandemisë, Kosova ishte ndër dhjetë vendet e para në botë për bamirësi. Megjithatë, nuk janë të rralla rastet kur kosovarët janë mashtruar nga njerëz apo organizata që fshihen pas bamirësisë. Mashtrime të tilla shtohen ndjeshëm në prag të festave si kjo e Kurban Bajramit.

Shumë organizata në vend, por edhe individë, po mashtrojnë në emër të bamirësisë. Policia e Kosovës nuk ka treguar se sa është numri i arrestimeve që janë bërë për këto keqpërdorime, por organizatat thonë se numri i tyre është i madh. Thirrje i është bërë institucioneve të parandalojnë këto raste përmes monitorimeve të personave apo organizatave që kërkojnë para.

Drejtoresha Ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare, Dajana Berisha thotë se në fondament të dhurimeve qëndron aspekti emocional. Kjo po shfrytëzohet nga grupe të caktuara duke mashtruar për familje në nevojë apo individë të sëmurë.

Dajana Berisha, drejtoreshë e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ)

Berisha: Kosova renditet në vendin e nëntë për dhurimet më të larta

“Jo më pak se para një muaji Kosova u rendit në vendin e nëntë në të gjithë botën për dhurimet më të larta gjatë kohës së pandemisë, pra periudhës së COVID-19 që ishte periudhë shumë e vështirë ekonomike, shëndetësore, financiare në të gjitha aspektet. Dhe u rendit pra në një rangë global, duke lënë pas vetës shumë vende të zhvilluara ekonomikisht. Pra, në këtë kontekst Kosova qëndron mirë. Çka është interesante për të diskutuar planin e dhurimit, jo thjesht të bamirësisë. Sepse dhurimi i ka disa dimensione më shumë se sa bamirësia. Një rol të jashtëzakonshëm luan kauza për të cilën njerëzit dhurojnë. Mund të dhurojnë për njerëzit që janë në nevojë shëndetësore, ekonomike, mjete financiare, apo mund të dhurojnë për projekte zhvillimore të vogla, vullnetarizëm”, thekson ajo.

Në aspektin religjioz, theksi vendoset mbi atë se duhet të mendohet mirë kur dhuron.

Xheladin Fazliu, përgjegjës i Shoqatës Bamirëse “Bereqeti”

Fazliu: Duhet të shikojmë se kë po mendojmë

“Ne apelojmë edhe te njerëzit bamirës, duke u bazuar edhe në thëniet fetare që sa do që është obligative për të ndihmuar edhe me dhënë, duhet të shikohet se ku po ndihmojmë edhe nëpërmjet kujt po ndihmojmë. Kjo duhet të jetë edhe një prej apeleve të cilat duhet t’ia bëjmë ne njerëzve ose atyre të cilët dëgjojnë që të mos keqpërdoret humaniteti dhe bamirësia. Pra, në fenë islame shpërblehet shumë ai që bën mirë, por nëse ti me ndihmën tënde e ndihmon një person jo të ndërgjegjshëm, qoftë me dukuri negative edhe e nxit atë që të bëjë veprime jo të mira, por e bën edhe përtac, atëherë në këtë rast mund të shndërrohet edhe në mëkat”, shprehet Xheladin Fazliu, përgjegjës i Shoqatës Bamirëse “Bereqeti”.

Kosovarët dhurojnë shuma të mëdha të hollash për të ndihmuar familje në nevojë apo persona me sëmundje të rënda.

Raste të këtyre keqpërdorimeve raportohet se ka shumë në Kosovë.

Dajana Berisha, drejtoreshë e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ)

Berisha: Njerëzit apo organizata keqpërdorin me fonde

“Kurrsesi nuk e përjashton kjo Kosovën nga skema tjetër ku njerëzit apo individët apo organizata në të vërtetë keqpërdorin fonde. Qofshin këto të donatorëve apo mund të keqpërdorin fonde apo mjete financiare të cilat njerëzit dhurojnë për ata që kanë nevojë. Mënyra e vetme për të ditur saktë se kush, çka, për shembull në rastin e sektorit të organizatave civile, janë raportet e auditimit ato që nxjerrin në pah keqpërdorimet dhe rrjedhimisht autoritetet e caktuara ligjore duhet të merren me ndalimin ose edhe me trajtimin e këtyre keqpërdorimeve financiare”, shton ajo.

Pavarësisht këtyre rasteve, vështirë po zbehet vullneti për humanizëm.

Kryqi i Kuq i Kosovës ka dhuruar mbi 10 mijë pako ushqimore dhe higjienike gjatë këtij viti.

Donatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit kanë adresë këtë organizatë për të ndihmuar familjet të cilat tashmë janë nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq.

Armend Shala, Kryqi i Kosovës

Shala: Deri më tani kemi ndarë mbi 10 mijë pako ushqimore dhe higjienike

“Diku deri tash kemi ndarë mbi 10 mijë pako ushqimore dhe higjienike, përmes donatorëve të ndryshëm të cilët kanë ofruar ndihma në Kryqin e Kuq të Kosovës dhe përmes neve kemi shpërndarë për familjet në nevojë.... Po shohim që ka shumë keqpërdorime të donacioneve të ndryshme, mirëpo ne si praktikë qysh e përdorim si Kryq i Kuq i Kosovës nëse një familjar, apo biznes vjen tek ne edhe thotë po dua të dhurojë dhjetë pako ushqimore apo higjienike, e marrim ndonjë pjesëtar të tyre që bashkë me ta me dal në terren dhe me vizituar familjet që me parë gjendjen reale”, njofton Shala.

Ai shton se qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen dhe të mos japin donacione në organizata të cilat nuk ju besojnë.

Megjithatë, mashtrime të tilla po shtohen në masë të madhe në prag të festave.

Xheladin Fazliu, përgjegjës i Shoqatës Bëmirëse “Bereqeti”

Fazliu: Nëpër sheshe njerëzit të cilët kërkojnë blerjen e kurbanit tek ta

“Në prag të festës së madhe të Kurban Bajramit ne vetëm kemi hasur dhe po shohim nëpër media apo edhe nëpër sheshe duke dalë njerëzit të cilët nuk e njohin fare këtë lëmi, kërkojnë kurban që besimtarët të kërkojnë tek ta. BIK tash e 50 vjet ka traditë të therjes së kurbaneve. Është shumë me interes në jetën e përditshme çdo gjë të kanalizohet aty ku e ka vendin”, thekson hoxhë Fazliu.

Pranë rrugëve të kryeqytetit dhe shesheve janë në numër të madh edhe personat të cilët kërkojnë lëmoshë. Të tjerë prezantohen si anëtarë të ndonjë organizate humanitare.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujku tregon se nuk janë në bashkëpunim me këto grupe të cilat po kërkojnë ndihmë.

“Në rrugët e Prishtinës, me theks të veçantë sheshi kryesor por edhe disa rrugë të frekuentuara me këmbësorë, dalin shpesh persona të paautorizuar të cilët në forma të ndryshme kërkojnë para për qëllime të ndryshme. Kryesisht mjetet mblidhen në emër të përkrahjes së fëmijëve pa kujdes prindëror, fëmijëve jetim, fëmijëve të braktisur apo ndërtim të ndonjë shtëpie për të pastrehët. Mirëpo kjo përkrahje nuk ndodh në realitet asnjëherë, pasi që ne si Qendër për Punë Sociale në Prishtinë nuk kemi asnjë bashkëpunim apo kontakt me këto grupe.

Më tej, ai në disa përgjigje me shkrim shton se këto raste kanë qëllim mashtrimin e qytetarëve dhe për përfitime personale për ta.

“Këto raste kanë vetëm një qëllim, mashtrimin e qytetarëve dhe përfitime personale për ta. Ne nuk kemi shifra se sa mjete grumbullohen, pasi që mjetet e mbledhin në enë të cilat nuk janë të tejdukshme dhe posa të mblidhet një sasi e mjeteve, menjëherë zbrazen në vend të caktuar nga ta, sepse rrjeti i tyre dyshohet se është mirë i organizuar”, shton Mujku.

Dajana Berisha ngrit shqetësimin edhe për shumë organizata të cilat po marrin fonde, që të njëjtat vijnë nga taksapaguesit e vendit.

Dajana Berisha, drejtoreshë e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ)

Berisha: Nuk monitorohen mjetet e atyre që dhurojnë

“Ende në Kosovë nuk ka organizata që monitorojnë pikërisht këto dhurimet qofshin të qytetarëve apo të donatorëve. Ende nuk e kemi këtë kulturë të monitorimeve”, përfundon ajo.

Në lidhje me numrin e personave të arrestuar si shkak i këtyre keqpërdorimeve, kp ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, edhe në rrjete sociale po krijohen profile të rreme ku kërkohet ndihmë për raste të caktuara. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat