Qytetarët ankohen se s’ka termine, Ministria thotë se vaksina anti-Covid ka mjaftueshëm

Kosova

Qytetarët ankohen se s’ka termine, Ministria thotë se vaksina anti-Covid ka mjaftueshëm

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 15:44
Ilustrim

Në fund të muajit mars të këtij viti, në Kosovë nisi vaksinimi anti-Covid.

Ministria e Shëndetësisë hapi fazën e vaksinimit për personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike, për të vazhduar më pas edhe me kategoritë e tjera.

Por, në procesin e vaksinimit, përkundër se Ministria thotë se ka vaksina mjaftueshëm, qytetarët po hasin në vështirësi.

Ata kanë dërguar edhe fotografi nga përgjigjja që kanë marrë në platformën eKosova ku mundësohet caktimi i terminit për vaksinim anti-Covid.

Caktimin e terminit nëpërmjet kësaj përgjigje mund ta bëjnë në një kohë tjetër të përshtatshme kur do të lirohen vendet për vaksinim.

E për këtë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se për shkak të interesimit të madh të qytetarëve, terminet për vaksinim në sallën 1 Tetori mbushen shpejt, por terminet e reja gjenerohen në vazhdimësi.

“Sistemi apo platforma eKosova gjeneron në vazhdimësi termine sipas slloteve të lira për secilën qendër të vaksinimit. Ka momente kur për shkak të interesimit më të madh, sidomos në Prishtine, terminet për 1 Tetori mbushen me shpejt, por termine të reja gjenerohen në vazhdimësi”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Qytetarët të cilët hasin problem në platformën e-Kosova gjatë aplikimit për vaksinimin, mund të regjistrohen edhe në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Kështu kanë bërë të ditur nga MSH-ja.

“Personat qe nuk mund te caktojnë termin për çfarëdo arsye përmes eKosova, mund te regjistrohen edhe përmes QKMF-së në komunën ku banojnë për të marr vaksinën”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Nga Ministria kanë thënë se nuk ka mungesë të vaksinave në asnjë qendër në Kosovë.

“Nuk ka mungesë të vaksinave në asnjë qendër në Kosove, përkundrazi, MSh u bënë thirrje qytetareve, jo vetëm në Prishtinë, por në gjithë vendin që të aplikojnë dhe caktojnë termine sa më parë për vaksinim kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e Minsitrisë së Shëndetësisë.

Deri më tani në Kosovë janë dhënë 324.107 doza të vaksinës, ndërsa gjithsej 93.551 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat