Tri vjet pa Adem Demaçin

Kosova

Tri vjet pa Adem Demaçin

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 07:45
Adem Demaçi

Sot bëhen tri vjet që kur ndërroi jetë Adem Demaçi.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik 2018 ndërroi jetë.

Ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

I njohur si simbol i rezistencës kombëtare, i ndjeri Adem Demaçi sot do të mbushte 85-vjeç.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990-1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, pasi ai me punën dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarprijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë.

Në kujtim të trevjetorit të shkuarjes në amshim, sot përurohet libri i Adem Demaçit “Burgjet e mia- fati im i madh”, në selinë e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, në orën 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat