​Digjen 50 hektarë të Bjeshkëve të Nemuna, nuk dihet shkaktari

Kosova

​Digjen 50 hektarë të Bjeshkëve të Nemuna, nuk dihet shkaktari

Më: 31 korrik 2021 Në ora: 11:43
Foto ilustrim

(E plotësuar 14:21) - 50 hektarë janë përfshirë nga zjarri që nga dita e djeshme të një pjese të parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna”. Ende nuk dihet se cili ka qenë shkaktari i përhapjes së madhe të zjarrit në fshatin Shtupeq i Madh në Rugovë, mirëpo kjo zonë sot është lokalizuar. Përveç njësiteve të FSK-së, zjarrfikësve, pjesëtarëve të parkut dhe Policisë së Kosovës, gjatë ditës së djeshme është kërkuar edhe ndihma e KFOR-it.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi për marrëdhënie ndërkombëtare dhe publikun në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Nehat Koqinaj. Ai thotë se si shkak i temperatura të larta është përkeqësuar gjendje.

Koqinaj: Situata ditëve të fundit është përkeqësuar

“Situata ditëve të fundit është përkeqësuar shkaku i rritjes së temperaturave. Ku si pasojë dje prej mesditës në parkun nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’, ka shpërthyer një zjarr i përmasave të konsiderueshme dhe ka lënë pasoja, e vazhdon të lë pasoja në sipërfaqen e parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna, konkretisht në zonën e fshatit Shtupeq”, tregon ai.

Pas përfshirjes së zjarrit, ai tregon se janë aktivizuar të gjitha njësitë e Pejës, njësitë e FSK-së, Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të parkut. Megjithatë, janë vënë në dispozicion edhe helikopterët e KFOR-it.

Image

 

Koqinaj: Ka intervenuar edhe KFOR-i për të parandaluar përhapjen e zjarrit

“Përmes Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qendrën e Situatave të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është kërkuar ndihma nga KFOR-i. Dhe ajo ndihmë është ofruar me helikopterë, sepse terreni i goditur nga zjarri në parkun kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna”’, është jashtëzakonisht i papërshtatshëm në sipërfaqet e thepisura. Njësitë e kanë bërë të pamundurën reagimin me kapacitetin tokësor”, shton Koqinaj.

Koqinaj tregon për KosovaPress se sa është sipërfaqja e cila është përfshirë nga zjarri.

Koqinaj: 50 hektarë janë të goditura

“Njoftimi i fundit nga ekipi menaxhues në terren është se zjarri ka pushuar në kuptimin e shpërthimit të hapur. Por rreziku paraqitet patjetër si i tillë, sepse zjarret në male apo pyje janë tinëzare dhe dinë të heshtën për një periudhë derisa nuk riaktivizohen sërish[...]U raportua se sipërfaqja e goditur është 10 hektarë, ndërsa në orën e mbrëmshme kemi ardhur në përfundim se përafërsisht janë 50 hektarë të goditura”, shprehet ai.

Ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar përhapjen e zjarrit në këtë zonë. Megjithatë, Koqinaj shton se gjatë kësaj vere ka pasur edhe zjarre të tjera, por të menaxhuara lehtë me kapacitetet lokale.

Koqinaj: Nuk dihet shkaktari i shkaktimit të këtij zjarri

“Ne ende nuk e kemi informacionin se ku ka qenë shkaktari dhe kush e ka nis atë zjarr, apo kush e ka nis. Hetimet do të bëjnë vlerësimin dhe do të dalë me konstatim se nga ku është nis dhe ku ka qenë vatra iniciuesi i zjarrit”, përfundon Koqinaj për KosovaPress.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes pas shëtitjeve apo piknikëve në hapësira të hapura, duke mos lënë zjarre të ndezura.

Kujtojmë se si shkak i temperaturave të larta, është raportuar për zjarre edhe në Turqi e Shqipëri. Madje, numri i të vdekurve në Turqi si pasojë e zjarreve pyjore ka shkuar në gjashtë.

***

Policia e Rajonit të Pejës ka dhënë detaje lidhur me zjarrin që ka përfshirë një pjesë të Malit të Rugovës.

Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dal Policia, FSK’ja, zjarrfikësit, si dhe KFOR-i.

Sipas Gashit, zjarri thuajse është lokalizuar.

“Gjatë gjithë ditës së djeshme në vendngjarje kanë qëndruar FSK-ja, Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit. Policia hedhur topa uji për të shuar zjarrin, ndërsa edhe KFOR’i ka ardhur në ndihmë me helikopterë. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht dhe njësitet relevante po merren me rastin. Rruga për në Shtupeq është e bllokuar për qytetarë dhe mund të kalojnë vetëm zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka thënë Gashi.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse thotë se zjarret mund të ndizen shumë lehtë shkaku edhe i temperaturave të larta.

“Unë iu kisha bë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse edhe temperaturat janë të lartë dhe lehtë mund të ndizen zjarre”, ka thënë Gashi.

***

Flakët kanë kapluar një pjesë të malit në Rugovë të Pejës, duke shkaktuar disa telashe në bllokim të rrugëve.

Në vend të ngjarjes kanë dalë Forcat e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit dhe zyrtarë nga Ministria e Mbrojtjes.

Megjithatë, fatmirësisht zjarri nuk po përhapet.

Rruga për në Rugovë është bllokuar dhe për në fshatin Shtupec i Madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat