​Në 6 shkolla do të implementohet projekti “Kidpreneurship - Think Design Create”

Kosova

​Në 6 shkolla do të implementohet projekti “Kidpreneurship - Think Design Create”

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 16:45
Organizata ETEA dhe Drejtoritë e Arsimit në Prishtinë, Gjakovë, Istog dhe Rahovec

Organizata ETEA dhe Drejtoritë e Arsimit në Prishtinë, Gjakovë, Istog dhe Rahovec nënshkruan sot memorandume bashkëpunimi për implementimin e projektit “Kidpreneurship - Think. Design. Create”.

Projekti mundëson përfshirjen e komponentit të sipërmarrjes sociale në institucionet edukativo-arsimore dhe futjen e nxënësve në një proces të kërkimit dhe konceptimit të ideve, zhvillimin e prirjeve krijuese nga ideja deri te produkti final dhe pajisjen e nxënësve me aftësi praktike në profesionet e së ardhmes.

Gjashtë shkolla përfituese të këtij projekti do të krijojnë brenda shkollave hapësira të veçanta e të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme për punën e nxënësve. Shkollat do të pajisen me nga dy printerë 3D, me nga dy kompjuterë me të gjitha pajisjet përcjellëse.

Drejtori i organizatës ETEA Agon Ahmeti tha se qëllimi kryesor i këtij projekti është integrimi i ndërmarrësisë sociale brenda institucioneve edukativo-arsimore

Ahmeti: Integrimi i ndërmarrësisë sociale brenda institucioneve edukativo-arsimore

“E para është integrimi i ndërmarrësisë sociale brenda institucioneve edukativo-arsimore, po edhe të tërë procesit të prodhimit të dickaje, diçka praktike ku vet nxënësit involvohen në aktivitete me mbështetjen e mësimdhënësve të teknologjisë informative të cilët do të trajnohen javëve në vijim për të qenë të gjithë të gatshëm nga 1 shtatori i këtij viti. I gjithë procesi që nga ideja, konceptimi, disejnimi i produkteve dhe prodhimi i tyre që do ta këna për bazë printerin 3D që sot e kemi këtu dhe më pas shitja e atyre produkteve të cilat i prodhojnë vet nxënësit...Komponentë e dytë, po kaq me rëndësi nëse jo edhe më shumë është kooperimi i komuniteteve mes vete, komuniteteve pakicë që janë rom, ashkali dhe egjiptian me komunitetin shumicë që janë shqiptarët”, tha ai.

Florian Piraj do të jetë trajner në fushën e 3D printimit, e për të cilin përdorimi i teknologjisë nëpër shkollat e vendit është jetik.

Piraj: Përdorimi i teknologjisë nëpër shkollat tona është jetik

“Përdorimi i teknologjisë në shkollat tona është jetik duke marrë parasysh përvojën si trajner në fushën e edukimit dhe teknologjisë informative me arsimtarë dhe nxënës të shkollave në Kosovë. Unë kam parë që është një nevojë e theksuar e mësimit të njohurive në fushën e teknologjisë nga ana e mësimdhënësve dhe nxënësve. Besoj që do t’i arrijmë rezultatet maksimale në këtë iniciativë shumë të mirë”, u shpreh Piraj.

Në komunën e Prishtinës, përfituese është vetëm një shkollë, e që drejtoresha e Arsimit Shpresa Shala, tha se projekte të tilla nxisin nxënësit që të bëhen ndërmarrës të ardhshëm.

Shala: Të nxisim nxënësit të bëhen ndërmarrës të ardhshëm

“Të nxisim nxënësit të bëhen ndërmarrës të ardhshëm, gjithashtu të përdorin teknologjinë informative të cilën tashmë veç pandemia na e ka mundësuar që edhe mësimdhënësit të kenë njohuri më shumë ndoshta të mësojnë jo me dëshirë po nga nevoja e madhe e cila ka qenë këtë vit pandemik. Po besoj që projekti do të shkojë mirë dhe Komuna e Prishtinës do ta përdor këtë projekt për ta zgjeruar edhe në shkollat e tjera”, tha Shala.

Ndërsa, në komunën e Istogut projekti do të zhvillohet në dy shkolla, që për drejtorin e arsimit të kësaj komune, Hajrush Shoshi, një projekt i tillë do të ndikojë edhe në kreativitetin e nxënësve.

Shoshi: Do të ndikojë shumë edhe në mësim-nxënie dhe në kreativitetin e tyre

“Do të ndikojë shumë edhe në mësim-nxënie dhe në kreativitetin e tyre për të ardhmen për ndërmarrësi”, tha ai.

Projekti "Kidpreneurship - Think. Design. Create." mbështetet nga Këshillit danez për Refugjatë (DRC) dhe financohet nga Sida – Agjencioni Suedez për Bashkëpunim në Zhvillim Ndërkombëtar e përfaqësuar nga Ambasada suedeze në Kosovë (Sida).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat