Koqina jep detaje për gjendjen me zjarre në Kosovë

Kosova

Koqina jep detaje për gjendjen me zjarre në Kosovë

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 19:20
Pamje nga zjarret

Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Nehat Koqina, tha se pas shpalljes së gjendjes jo të rëndomtë në Parkun Nacional “ Bjeshkët e Nemuna” , tha se kjo agjenci ka vendosur të gjithë kapacitetin e saj në veprim qoftë përmes koordinimit qoftë përmes menaxhimit.

Tutje, ai tha se sot është dhënë urdhri që të ngritët Qendra Operative që nënkupton se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave të bëhet operacionale 24 orë në 7 ditë të javës.

“Me raportin e fundit të ditës së sotme kemi ardhur në përfundim se janë aktive 10 vatra zjarri, por deri në orën 16:00 kanë qenë rreth 50 vatra zjarri por që janë lokalizuar dhe kanë qenë të përmasave më të vogla”, është shprehur Koqina.

Më tej, Koqina tha se rajoni më i goditur nga zjarret është ai i Pejës e sidomos Parku Nacional “Bjeshkët e Nemuna” ku pas dy herë që është konstatuar si rrezik i shuar, ai është riaktivizuar.

“Në viset e larta dhe në pjesët ku ka pasur akumulim i mbetjeve të fidaneve, aty krijohet një shtresë e begat për një zjarr të fshehur, ku për një periudhë nxjerrin vetëm tym, por më pas ai aktivizohet edhe me ndihmën e erërave”.

Ndërsa, sa i përket asaj se a ka bazë ligjore që në rast se ndonjë person e ndez ndonjë zjarr qëllimshëm, Koqina u shpreh se kjo hyn në grupin e veprave më të rënda penale.

“Zjarrëvënja e qëllimshme hyn në grupin e veprave më të rënda penale. Pra, ka bazë ligjore  dhe ndjekja mund të bëhet nëse mekanizmat e shtetit sinkronizohen sepse kjo dukuri është dorë e njeriut në 99 për qind të rasteve qoftë prej pakujdesisë apo sëmundjes që quhet “piroman”, por që duhet ndjekur e penalizuar”, tha Koqina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat