​Telekomi vazhdon të paguajë 1.9 milionë euro çdo vit Monaco Telekomit, kodi +377 i maskuar

Kosova

​Telekomi vazhdon të paguajë 1.9 milionë euro çdo vit Monaco Telekomit, kodi +377 i maskuar

Më: 3 gusht 2021 Në ora: 15:15
Pamje nga takimi

Telekomi i Kosovës ende paguan nga 1.9 milionë euro në vit për shfrytëzim të kodit të Monakos, ndërkohë që duhen 3.2 milionë euro për realizimin e tërësishëm të kodit shtetëror. Borxhet e shumta që ndërmarrje publike ka, bënë që Telekomi të jetë në gjendje të rënduar. Ndërkohë që rrezikon të përballet me përmbaruesin për shkak të borxhit që ka ndaj ARKEP.

Kështu u tha në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike me rastin e shqyrtimit të Raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Kompanisë “Telekomi i Kosovës”, për vitin 2020.

Në këtë mbledhje ku raportoi ushtruesja e detyrës së kryeshefit të Telekomit, Burbuqe Hana, deputetët parashtruan pyetje të shumta teksa thanë se Telekomi jep shërbime më të dobëta sesa operatorët e tjerë.

Kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami, pyeti rreth borxhit të Telekomit në ARKEP dhe për rrjetin e dobët të internetit.

Ajo tha se ka vërejtur ngecje në auditimet e brendshme.

Bajrami: Ka ngecje në auditimet e brendshme

“Ajo që e pash unë prej raportit të Auditorit është kjo ngecja mbrapa në këto auditimet e brendshme. Do të thotë, natyrisht që nëse ka kërkesa prej bordit që me kry auditime tjera, ata nuk kanë mundësi me e përmbyll”, tha ajo.

Ushtruesja e detyrës së kryeshefes së Telekomit, Burbuqe Hana, tha se komisioni i auditimit ka pasur t'i bëjë 8 auditime porse i ka bërë vetëm 5. Derisa bëri të ditur se janë duke kontrolluar të gjitha të gjeturat. 

Ajo bëri të ditur se kanë borxhe ndaj ARKEP-it, për çka shtoi se gjatë këtij muaji mund të përballen me përmbarues.

Hana: Në fund të muajit mund të përballemi me përmbaruesin, për këtë janë njoftuar të gjitha instancat relevante

“ARKEP-i e ka detyrimin e vet ligjor për me përmbaru vlerën prej 12 milionë euro dhe pjesën tjetër të mbetur për shkak të mospagesave të kutive të këtyre vlerave. Kështu që përfundimi i këtij muaji mundet me na ardhmë me një përmbarim prej 12 milionë euro, të cilin ne Telekomi i Kosovës nuk po mundemi me e pagu. Për këtë janë të njoftuara të gjitha instancat relevante të nevojshme”, tha ajo.

Ajo tha se Telekomi ende e shfrytëzon kodin e Monaco-s, por që është bërë një maskim pasi janë obliguar nga ARKEP që të përdorin kodin ‘+383’.

Derisa theksoi se Monaco Telekomit për çdo muaj i paguajnë 1.9 milionë euro, pasi Telekomi i Kosovës nuk ka mundësi financiare për të implementuar kodin e ri.

Hana: Ende e përdorim kodin e Monacos, veç e kemi masku, çdo muaj paguajmë 1.9 milionë euro

“Është nevojë imediate për shkak se ne i paguajmë diku 1.9 milionë euro në vit Monaco Telekomit për kodin të cilin e shfrytëzojmë. Po konsiderojmë se me një investim në kod shtetëror ne kishim mujt brenda 1 viti e gjysmë me i nxjerrë këto pare dhe plus me na mbet kodi shtetëror. Mirëpo, këto invesitme janë të vlerave milionëshe, gjë që Telekomi i Kosovës nuk mundet vet me e bë... 28:31 Është bërë një bypass, i cili nuk vërehet për parapaguesin, mirëpo implementimi teknik nuk është i realizuar për +383, do të thotë ne ende e përdorim +377. Ka qenë kërkesë e ARKEP-it që ne duhet patjetër me e implementu +383, për shkak të trysnisë kaq të madhe veç është maskuar +377-shi... 30:03 Tash ka filluar edhe gjobitja prej 5 mijë euro, velrë e cila është barrë për shkak se nuk po mujmë me e implementu këtë kod. Po më vika çudi që instancat e juaja mos me qenë të njoftuara për këtë”, tha ajo.

Deputeti Enver Haliti nga Lëvizja Vetëvendosje pyeti nëse qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i Telekomit kanë bërë diçka për të implementuar kodin shtetëror.

Haliti: A asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme qeveria që të investojë 3.2 milionë euro për kodin shtetëror

“Unë e kam ditur që kodi nuk është implementu për shkak të mungesës së investimeve. Më interesoj diçka sepse m’u duk pak jorelevante nëse po paguan Telekomi 1.9 milionë euro vjetore Monaco Telekomit, ndërsa duhen 3.2 milionë investime që kjo të realizohet 100 përqind. A asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme qeveria që të investojë 3.2 milionë euro për realizimin e kodit shtetëror të Kosovës”, tha ai.

Lidhur me këtë Hana tha se menaxhimet deri tash i ka bërë të gjitha përgatitjet teknike, porse nuk kanë mjete financiare për implementimin e plotë të kodit shtetëror. 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani pyeti nëse ka punëtorë te Telekomit që janë paguar e të cilët as nuk ndodhen në Kosovë, derisa u interesua edhe për çështjen e antenave, për çka tha se ka pasur raste kur zyrtari ka bërë marrëveshje me fëmijën e tij 12 vjeç.

Rrahmani: A keni bërë identifikimin e rasteve të zyrtarëve që kanë lidhur kontarata me fëmijën e vet 12 vjeçar për vendosjen e antenave

“Sa raste janë, të cilët nuk kanë ardhur asnjëherë në punë dhe çfarë keni ndërmarrë me këto raste. Një çështje tjetër që ka qenë mediatike është që në vendosjen e antenave, kemi parë raste kur zyrtari ka bërë kontratë me fëmijën e vet 12 vjet për me shfrytëzu një kontratë të tillë. A keni bërë verifikimin e një dukurie të tillë dhe çfarë hapash keni ndërmarrë për me parandalu një gjë të tillë”, parashtroi ai.

Një gjë të tillë nuk e mohoi ushtruesja e detyrës së Telekomit, për cka tha se nuk do ta lënë të kalojë në heshtje.

Ajo dha sqarime edhe sa i përket atyre punëtorëve që kanë marrë paga e që nuk kanë qenë në punë.

Hana: Në Telekom ka pasur një VIP listë të punëtorëve, nuk do të ketë më

“Ka pasur kontrata me fëmijë. Jam e njoftume dhe dihet saktësisht ku janë, qysh janë. Nuk janë trajtu, po natyrisht se kanë me u trajtu dhe asgjë s’ka me flejt... Për punëtorët që nuk vijnë në punë, ka qenë një problem që më vonë jam njoftu, është që kishte qenë ‘VIP lista’, e në të cilën ka pasur njerëz që iu është lejuar mos me u nënshkru. Faktikisht ka mundur me hy e me dalë, kështu që kontrolla kur ka ardhur fundi i muajit është që ka thënë se jam lejuar nga kryshefi”, sqaroi ajo.

Ka pasur një listë VIP, që disa njerëzve iu është lejuar që të mos nënshkruhen. Më kanë njoftuar se ka qenë një listë e tillë dhe se disa persona kanë deklaruar se janë lejuar nga ish-kryeshefi që të mos nënshkruhen në punë. U është bërë e ditur se kjo listë më nuk ekziston", tha ajo.

Hana po ashtu tha se Telekomi i Kosovës nuk ka më asnjë kontratë me ndonjë portal, teksa shtoi se janë të hapur për të gjitha mediat njësoj.

Kurse deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se është i shqetësuar me shërbimet që ofron Telekomi, pasi sipas tij, shërbimet duhet të jenë më të avancuara. Derisa pyeti nëse Telekomi ka një vizion se si të dalë nga borxhet.

Beqa: Operatorët tjerë shërbehen me rrjetin e Telekomit dhe ofrojnë rrjet më të mirë se Telekomi

“Jam i shqetësuar me shërbimet që ofron Telekomi. Ju duhet me qenë më të avancuar në raport me operatorët tjerë, sepse rrjetin tuaj e përdorin tjerët dhe ofrojnë pothuajse shërbime më të mira. Krejt në fund më intereson se çka keni ndërmarr si menaxhment i ri, kur e shihni që gjendja në 2020-ën është me e keqe se në 2019-ën. A keni ndërmarrë ndonjë veprim për me ju ndihmu aksionari për me dalë prej kësaj gjendjeje”, tha Beqa.

Deputetja e AAK-së, Albana Butyqi rekomandoi që të kenë sërish në raportim kryeshefen e Telekomit, por pas 3 muajsh, në mënyrë që të raportojë për punët që do të kryejnë gjatë kësaj periudhe.

Ndërsa zyrtari kryesor Financiar dhe i Thesarit, Feim Kelmendi, tha se kanë ulur shpenzimet në Telekom. Ai shtoi se aktualisht nuk ka asnjë kontratë aktive të marketingut në Telekom.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat