Lëvizja Vetëvendosje bën zyrtare kandidatin për kryetar të Vushtrrisë

Kosova

Lëvizja Vetëvendosje bën zyrtare kandidatin për kryetar të Vushtrrisë

Më: 14 gusht 2021 Në ora: 22:34
Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Vushtrri, bën të ditur se kandidati për Vushtrri është Arsim Rexhepi.

“Këshilli i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, pas një procesi zgjedhor, e përmes demokracisë së drejt për drejt, me shumicë votash, ka miratuar Arsim Rexhepin, kandidat për kryetar të komunës së Vushtrrisë, për zgjedhjet lokale të 17-të tetorit. Lëvizja VETËVENDOSJE! gëzon mbështetjen më të madhe elektorale në qytetin tonë, dhe këtë mbështetje do ta formalizojmë ne fitore në zgjedhjet lokale”, thuhet në njoftim.

LVV bën të ditur se “Arsim Rexhepi ka lindur në Vushtrri, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, dhe arkitekturë”.

“Studimet e Letërsisë Krahasimtare, Letërsisë Gjermane dhe të Historisë së Artit i ka kryer në Universitetin e Ruhr-it në Bochum të Gjermanisë, me ç’rast tema e magjistraturës së tij ishte ‘Autorefleksioni dhe Mitologjia në Letërsi Postmoderne’, kurse e doktoraturës “Mbi Funksionin e Hapësirës në Letërsinë bashkëkohore”.

Arsimi, ka kryer studimet e Shkencave Politike, Drejtimi i Qeverisjes, në Universitetin e Hagen-it. Ai është ligjërues i Letërsisë Gjermane në Universitetin Teknik të Dortmundit. Tash po kryen studimet e postdoktoraturës në temën “Mbi Vetminë dhe të Huajën në Letërsinë Postmoderne”.

Arsim Rexhepi ka qenë deputet i Legjislacionit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (2007 – 2011), ku ka kryer funksionin e kryetarit të Komisionit të arsimit dhe të Miqësisë, Kosovë-Gjermani. Arsimi është edhe shkrimtar, autor i një varg veprash letrare”, njofton LVV.

LVV ka bërë zyrtare edhe kandidatët për komunën e Pejës, Istogut, Mitrovicës, Prishtinës, Podujevës, etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat