MASHTI bën përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2021/22

Kosova

MASHTI bën përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2021/22

Më: 20 gusht 2021 Në ora: 20:57
MASHTI

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Maloku-Bërdyna në konferencën e rregullt për media ka folur për përgatitjet që janë duke u bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/22, procesin e regjistrimit të nxënësve në të gjitha nivelet, afatin e dytë të Provimit të Maturës Shtetërore, vaksinimin e personelit arsimor dhe mbështetjen financiare të cilën MASHTI po e ofron për të rinjtë, me theks të veçantë mbështetjen e vajzave dhe grave për studime brenda dhe jashtë vendit.

Zëvendësministrja Maloku-Bërdyna bëri të ditur se, MASHTI është duke i bërë të gjitha përgatitjet që ky vit shkollor të fillojë me kohë dhe në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohemi që shkollat ti plotësojnë kushtet, si nga ana infrastrukturore, në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së, po ashtu edhe që mësimdhënësit të jenë të vaksinuar. 

Ajo bëri të ditur se 55.094 është numri i të vaksinuarve nga personeli arsimor në nivelin parauniversitar, në arsimin e lartë si dhe studentët derisa shtoi se MASHTI do të përkrah shkollat me maska dhe dezinfektues. 

Ndër të tjera, zv/ministrja e Arsimit ka folur edhe për shpërndarjen e teksteve e cila do të bëhet në dy faza derisa tha se po bëhen përgatitjet që tekstet të dërgohen me kohë në shkolla. 

Ajo gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Arsimit të hënën ka shpallë thirrje publike për mbështetje financiare për studentet vajza/gra në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (apo STEM në gjuhën angleze) të arsimit të lartë në Kosovë, ku totali i shumës në dispozicion që do të ndahet për këtë thirrje është 1 milion euro, me të cilën do të mbështeten 1 mijë studente të fushave STEM me nga 1mijë  euro në vit.

Maloku-Bërdyna foli edhe për listën e shpallur me emrat e studentëve përfitues të mbështetjes financiare, për të pranuarit në universitetet më të mira në botë, ku nga 531 studentë, janë përzgjedhur 16 studentët përfitues që do të mbështeten me nga 6 mijë e 500 euro. 

Kjo sipas saj, ka qenë hera e parë që MASHTI ka ofruar një mbështetje të tillë për studentët dhe se vitin e ardhshëm do të bëhen përpjekje që të shtohet kjo mbështetje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat