​Sfidues zbatimi i Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi

Kosova

​Sfidues zbatimi i Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi

Më: 15 shtator 2021 Në ora: 13:36
Ilustrim

Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi përkundër që është mjaftë i avancuar në praktikë vështirë po gjen zbatim, dhe pengesë në këtë aspekt po shihen praktikat gjyqësore për kualifikimin e një rasti si diskriminim.

Kështu u tha në tryezën e organizuar sot nga Avokati i Popullit me temën “Sfidat e sistemit gjyqësor në zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi”.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj u shpreh se Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi është ligj i avancuar që plotëson standardet ndërkombëtare, por sfidë mbete zbatueshmëria e tij.

Qelaj tha se ky ligj ka probleme në vetvete dhe si i tillë paraqet sfidë për Avokatin e Popullit pasi si i tillë e kufizon këtë institucion për të hetuar sektorin privat dhe i jep të drejtë vetëm për hetim kur ka bazë për diskriminim vetëm në atë publik.

Avokati i Popullit kërkoi më shumë promovim dhe mbikëqyrje të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Qelaj: Avokati i Popullit mund ta hetojë diskriminim në sektorin publik. por jo edhe në atë privat

“Neni 9 paragrafi 2.3 konstaton se Avokati i Popullit heton dhe vepron sipas iniciativës së vetë dhe ankesave apo kërkesave të individëve kur ka bazë për të dyshuar se ka ndodhur diskriminim në sektorin publik. Në këtë aspekt e kufizon mandatin e Avokatit të Popullit për të hetuar sektorin privat. Ndërsa, sa i përket sektorit privat përcakton se ofron këshilla udhëzime dhe mbështetje për sektorin publik dhe privat në promovim të të drejtave. Pra, në sektorin privat kemi vetëm rol këshill-dhënës, por jo edhe rol mbikëqyrës në këtë drejtim, vetëm kjo dispozitë ligjore tregon se sa thellë duhet analizuar këtë ligj dhe të shihet se si funksionon dhe si mund të reagojnë institucionet tjera në mandat sipas ligjit”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani theksoi se neni 24 i Kushtetutës përcakton barazinë para ligjit. Ajo tha se si pasojë e divergjencës në praktikë gjyqësore në Kushtetuese po shtohet numri i lëndëve të cilat kjo gjykatë i konsideruar si pretendime për diskriminim e jo diskriminim.

Caka-Nimani: Pretendimet për diskriminim po shtohen si raste në Kushtetuese

“Çështjet që lidhen me divergjencën në praktikë gjyqësore shumë shpesh para Gjykatës Kushtetuese vijnë raste, të cilat pretendojnë të jenë të diskriminuar, por në fakt esenca e pretendimeve ndërlidhen meqë ne e quajmë divergjencë të praktikës gjyqësore, përkatësisht vendimet e gjykatave të rregullta të cilat sipas pretendimit të tyre kanë vendosur ndryshe në raste të ndryshme ne këto nuk i trajtojmë sikur çështje të diskriminimit në fakt janë pretendime që hyjnë në garancitë e nënti 31 të Kushtetutës dhe nenit 6, por është e rëndësishme të vihet theks në këtë pikë sepse pretendimet që vijnë në Gjykatë Kushtetuese pretendimet e tilla vijnë duke u shtuar në mënyrë të vazhdueshme dhe për të konstatuar shkelje në rastet e tilla testi i praktikës gjyqësore përmes dy aktgjykimeve është shumë më i ndërlikuar”, u shpreh ajo.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Alber Zogaj tha se është sfidues fakti se si duhet të kualifikohet një rast diskriminim në praktikën gjyqësore.

Ai tha se përkundër që tashmë në sistemin e KGJK është futur edhe baza ligjore e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi do të nxirren shumë pak raste, në mungesë të referencave apo ligje të tjera. Në këtë drejtim, Zogaj tha se do punojnë që të fusin edhe referenca tjera me qëllim që të njihen më shumë këto raste.

Zogaj: Në mungesë të referencave të tjera në sistemin online, do të identifikohen pak raste si diskriminuese

“Qysh dje e kemi interferuar edhe bazën ligjore te rastet e diskriminimit sipas Ligjit të Mbrojtjes nga Diskriminimi, por unë përsëri jam skeptik deri në momentin kur ne kemi një praktikë gjyqësore të unifikuar dhe një protokoll, duke i krahasuar edhe me eksperiencat e vendeve të tjera të rasteve të diskriminimit, neve do na ndodh përsëri që ky sistem elektronik pavarësisht që është tejet i avancuar përsëri do të nxjerrë shumë pak raste të diskriminimit, sepse baza e kualifikimit do të jetë vetëm baza e ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe jo referenca tjera”, tha ai.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku tha se rastet që kanë elemente të diskriminimit i trajton me urgjencë dhe prioritet.

Sipas tij Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi i hartuar në vitin 2015 paraqet një kornizë ligjore të mirë e cila fuqizon mbrojtjen e individit nga çdo formë e diskriminimit.

Maloku tutje tha se prej 43 rasteve me 79 persona sa kanë qenë në procedurë si vepra penale për diskriminim, KPK ka zgjidhur 32 prej tyre me 72 persona të përfshirë.

Maloku: Lëndët me bazë diskriminimi i trajtojmë me prioritet

“Mendoj që një ligj mbi Mbrojtjen nga Diskriminimi i viti 2015 paraqet dhe një kornizë mjaftë të mirë ligjore apo bazë shumë të mirë, e cila në njëfarë mënyre fuqizon mbrojtjen e individit nga çdo formë e diskriminimit... Edhe ne në praktikat tonë kemi bukur shumë telashe në zbatimin praktik të mbrojtjes të individit nga çdo formë e diskriminimit. Dhe e shohim këtë ligj si bazë nga vitit 2015 dhe në çdo rast që shohim se ka pasur elemente të veprën penale institucioni i Prokurorisë e ka trajtuar me urgjencë dhe të gjitha këto vepra institucioni i Prokurorisë i trajton me prioritet në vendosje... Në vitin 2020, tri raste me 3 persona dhe në njëkohësisht gjashtëmujori i parë i këtij viti 4 raste me 4 persona. Këto raste që kanë ardhur mbi ligjin për Mbrojtje kanë qenë 43 raste me 79 persona me ç’rast institucioni i Prokurorisë ka zgjedhur me sukses 32 raste me 72 persona, gjithsej sot në procedurë e sipër i kemi 17 raste me 69 persona”, theksoi Maloku.

Drejtoresha e Departamentit për Mbrojtje nga diskriminimi, Merita Syla u shpreh se numri i veprave penale për diskriminim është i ulët dhe kjo paraqet shqetësim për institucionin e Avokatit të Popullit. Ajo tha se vetëm në vitin 2021 janë parashtruar 109 ankesa, prej tyre janë hetuar 88.

Syla: Në vitin 2021 janë parashtruar 109 ankesa për diskriminim

“Nga 1 janar deri më 8 shtator të viti 2021 janë parashtruar 109 ankesa, për hetim janë 88, 21 nga këto ankesa janë vlerësuar të papranueshme kurse nga detyra zyrtare Avokati i Popullit ka hapur 9 raste”, tha ajo.

Të pranishëm në këtë tryezë diskutimi ishin edhe përfaqësues të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të Gjykatës Themelore të Prishtinës e profesor juridik që paraqitën sfidat e zbatimit të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat